Donald dhe Romeo Veshaj, aktorët që u bënë të njohur fillimisht nga pjesëmarrja në Al Pazar, nuk do të jenë më pjesë e spektaklit të humorit. Të ftuar në “E diell”, ata u shprehën mirënjohës për Agron Llakajn, por shtuan se sezoni i ardhshëm nuk do t’i gjejë në Al Pazar. Në një intervistë për “Vizioni i Pasdites”, Agron Llakaj u shpreh:
“Personalisht jam i lumtur që ata arritën të krijonin një dritare të tyren. Nëse e keni parë, në shfaqjen e parë në stinën e verës, unë isha njeriu që i martova për të thënë simbolikisht që këta dalin në fluturimin e tyre. Por dera është e hapur. Ata ngelen prodhimi ynë dhe shpresoj që të mbartin me vete dashurinë për Al Pazarin.”
Më tej, Llakaj shtoi se është i habitur nga fakti që binjakët Veshaj i kanë injoruar promot e Al Pazarit. “Nuk e di, më ka bërë përshtypje. Nuk kanë klikuar [të bëjnë like]. Ose e ndiej si boshllëk, nuk e di. Megjithatë i kam dashur dhe i kam mbështetur shumë.”
Në përfundim të deklaratës, ai tha se në rrugëtimin e tyre “uron që të kenë punën, talentin, por mbi të gjitha mirënjohjen”. “Kokën mbrapa, të mos harrojnë nga vijnë, ku kanë ecur dhe ku do të shkojnë. Do t'ua kisha thënë dhe atyre, po kanë një muaj që s’më kanë telefonuar,” përfundoi ai.