Organizata e Kombeve të Bashkuara, që punon për barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave, e njohur si UN Women, përpiloi një listë me 10 vendet ku kabinetet qeveritare kanë një barazpeshë mes burrave dhe grave.
Siç mund ta shihni në listën e mëposhtme, Shqipëria renditet në vendin e pestë dhe ndiqet nga Ruanda, Kanadaja, Kolumbia, Kosta Rika dhe El Salvador. Katër vendet e para janë Spanja, Finlanda, Nikaragua dhe Suedia.
Gjysma e kabinetit të kryeministrit Rama përbëhet nga gra: Olta Xhaçka (Ministria e Mbrojtjes), Anila Denaj (Ministria e Financave dhe Ekonomisë), Belinda Balluku (Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë), Besa Shahini (Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë), Etilda Gjonaj (Ministria e Drejtësisë), Elva Margariti (Ministria e Kulturës), Ogerta Manastirliu (Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale) dhe Elisa Spiropali (Ministre e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentit).
Nëse i hedhim një sy dhjetë shteteve të renditura më sipër, do të kuptojmë se bëhet fjalë për përzierjen e grave dhe burrave nëpër kabinetet qeveritare, që kurrsesi nuk është dëshmues i fuqizimit të rolit të grave në shoqëri.
Për shembull, Nikaragua renditet më lart se vende të zhvilluara si Suedia dhe Kanadaja, por sipas statistikave, vendi është përballur gjthnjë e më tepër me rritje të dhunës ndaj grave si edhe sulme kundrejt komunitetit LGBTQ, të cilave policia nuk u është përgjigjur. E njëjta gjë edhe për Ruandën, e cila në 2016-n renditej në vend të parë. Në jetën e vërtetë, gratë e këtij shteti nuk janë aspak të fuqishme.
Përsa i përket Shqipërisë, viteve të fundit vihet re një qasje për të promovuar barazinë gjinore, gjë që shihet edhe në postet drejtuese në ministri të ndryshme. Sidoqoftë vendi ende përballet me problematika përsa i përket potencialit të grave në tregun e punës si edhe rritjes së dhunës ndaj grave.
Të emërtuarit e grave të afta në poste drejtuese nuk është ndonjë arritje e jashtëzakonshme, kur nga ana tjetër, sipas të dhënave të publikuara nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Krimet dhe Drogën (UNODC) në vitin 2018, numri i vrasjeve të grave nga partnerët intimë në Shqipëri ishte më i larti në Europë.
Në një raport të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, rastet e grave viktima të dhunës kanë ardhur duke u rritur. Për shembull, në 2005 u raportuan 95 raste, ndërsa 10 vite më vonë 3,866 të tilla. Shifër që shkoi në 4,163 në 2016-n.
Po kështu të dhëna të tjera të INSTAT nxjerrin në pah se dhuna ndaj grave në Shqipëri mbetet e lartë, ku më problematike paraqitet situata në qarqe të mëdha si Durrësi dhe Vlora.
Pra, quhet arritje e jashtëzakonshme nëse në qeveri ka njerëz, qofshin gra ose burra, që punojnë për të ndërtuar një sistem që mbron rreptësisht të drejtat e grave.