Armina Mevlani tregoi në “Ftesë në pesë” se për të qëndruar në formë, së fundmi, përdor metodën Intermittent Fasting (IF), çka do të thotë se konsumon ushqim vetëm brenda tetë orëve.
Ajo ha për herë të parë në orën 12 në mesditë dhe duhet të hajë për herë të fundit në orën 8 në mbrëmje, por preferon ta konsumojë darkën në orën 7.
Çfarë duhet të dini?
Më tepër sesa dietë, Intermittent Fasting, që njihet si agjërimi i përhershëm, është një stil jetese. Kjo do të thotë se nuk ka rëndësi se çfarë hani, por kur e hani.
Agjërimi ka mijëra vite që praktikohet. E gjejmë në çdo fe e kulturë. Mjekët kanë kohë që flasin për avantazhet e të ngrënit nga dreka deri në 8 dhe nuk është thjesht diçka e momentit dhe nuk është një truk marketingu, pasi nuk ka produkte për t’u shitur dhe pikërisht për këtë arsye nuk dëgjojmë shumë për agjërimin e përhershëm, sepse kompanitë nuk kanë ç’fitojnë prej tij.
Agjërimi ka qenë një praktikë e pranishme te njerëzit gjatë evolucionit. Duke qenë se shpeshherë ishte e vështirë të konsumonin ushqim në çdo kohë, si rezultat ata evoluan duke qenë në gjendje të qëndronin pa ushqim për periudha të zgjatura kohore.
~ Metodat e IF ~
- Metoda 16/8: konsiston në konsumimin e ushqimit përgjatë 8 orëve dhe ndërprerjen e tij për 16 orët në vijim. Pra, hani mjaftushëm nga ora 12:00 – 20:00 pastaj agjëroni për 16 orë.
- Metoda “ha-ndalo-ha”: përfshin agjërimin për 24 orë; hani për shembull në drekë dhe më pas hani sërish drekën e ditës tjetër.
- Metoda 5:2: bazuar në këtë metodë, konsumoni 500-600 kalori gjatë dy ditëve të njëpasnjëshme dhe më pas hani normalisht 5 ditët e tjera të javës.
Metoda 16/8 është më e përhapura, pasi njerëzit e kanë më të lehtë të përshtaten.
~ Përfitimet shëndetësore ~
- Humbje në peshë: IF ndihmon në djegien e yndyrës në zonën e barkut dhe jo vetëm, pa qenë nevoja të kufizoheni në konsumimin e kalorive me vetëdije.
- Insulina: agjërimi ul nivelin e sheqerit në gjak dhe rrit nga 20-31% nivelet e insulinës, të cilat janë të rëndësishme kundër diabetit të tipit 2.
- Shëndeti i zemrës: agjërimi i përhershëm mund të zvogëlojë kolesterolin e dëmshëm, trigliceridet e gjakut, sheqerin në gjak.
- Kancer: studimet te kafshët kanë vërtetuar se agjërimi mund të parandalojë kancerin.
- Shëndeti i trurit: agjërimi rrit hormonin BDNF që ndihmon në rritjen e qelizave të reja nervore. Ka ndikim gjithashtu në luftën kundër Alzheimer-it.
- Efekti anti-plakje: redukton rrudhat dhe rrit jetëgjatësinë. Studimet e kryera te minjtë arritën në përfundimit se pas agjërimit, këto specie arritën të jetonin 36-38% më shumë se të tjerët.
Kur NUK këshillohet IF?
Intermittent Fasting nuk është për të gjithë. Personat që kanë probleme me çrregullimin e të ushqyerit duhet të konsultohen me mjekët pasi në këto raste, mund të ketë rrezikshmëri. Raste të tjera kur duhet të konsultoheni me mjekun para se të praktikoni IF:
- nëse vuani nga diabeti
- keni presion të ulët të gjakut
- merrni medikamente
- jeni nënpeshë
- po përpiqeni të mbetni shtatzënë
- jeni shtatzënë ose ushqeni fëmijën me gji
~ Efektet anësore ~
Uria është efekti anësor kryesor i agjërimit. Mund të ndiheni sikur nuk keni mjaftueshëm fuqi. Kjo është e përkohshme, pasi duhet pak kohë derisa trupi t’i përshtatet vakteve të reja.
Si për çdo dietë tjetër, konsultohuni paraprakisht me mjekun.