Rasti tragjik i yllit të K-Pop, 25-vjeçares Sulli, solli në vëmendje numrin e lartë të artistëve nga Koreja e Jugut që kanë ndërruar jetë si pasojë e vetëvrasjes.
Vetëvrasjet në Korenë e Jugut nuk prekin vetëm artistët, por edhe njerëzit e thjeshtë. Kryesisht janë të moshuarit ata që për shkak të varfërisë vendosin t’i japin fund jetës për të mos u bërë barrë e dikujt tjetër.
Një tjetër arsye pse një fenomen i tillë është kaq i përhapur në Korenë e Jugut është media. Sipas studimeve, numri i vetëvrasjeve është rritur pasi media ka mbuluar vetëvrasjen e njerëzve të famshëm.
Po kështu, të tjera vëzhgime kanë dëshmuar se përdorimi i internetit ka ndikuar negativisht, pasi një pjesë e mirë e nxënësve bëhen të varur nga rrjetet sociale dhe bien pre e formave të lëndimit të vetes.
Problemet familjare janë një tjetër arsye me ndikim të fortë. Shumë njerëz në Korenë e Jugut kanë mbetur jetimë ose kanë humbur njërin prind për shkak të luftës. Nuk përjashtohen as problemet ekonomike.
Edukimi është një tjetër faktor që i shtyn studentët drejt vetëvrasjes. Arsimi në Korenë e Jugut është tepër konkurrues çka e vështirëson pranimin në universitet.
I fundit, por jo më pak i rëndësishmi, shëndeti mendor. Në Korenë e Jugut, sëmundjet mendore konsiderohen tabu, madje edhe brenda familjes. Mbi 90% e viktimave janë diagnostikuar me çrregullime të shëndetit mendor, por vetëm 15% e tyre kanë pranuar të kurohen. Më shumë se 2 milionë njerëz vuajnë nga depresioni, por vetëm rreth 15,000 zgjedhin ta trajtojnë problemin.
Duke qenë se sëmundjet mendore konsiderohen tabu, shpesh familjet i dekurajojnë të rinjtë ose personat që përballen me të tilla çregullime.
Pak orë më parë (e hënë, 14 tetor), ish-anëtarja e grupit f(x), Sulli, u gjet e pajetë në apartamentin e saj. Nuk dihen ende shkaqet e vdekjes, por dyshohet për vetëvrasje. Sulli ishte mikeshë me këngëtarin Jonghyun, i cili po ashtu vrau veten në 2017-n.