Që prej kohës kur u përzgjodh në mesin e 4240 filmave me metrazh të shkurtër për të konkurruar në Festivalin e Filmit në Kanë, filmi “The Van” ka korrur sukses në pjesën më të madhe të festivaleve ku ka marrë pjesë. Ndonëse bashkëprodhimi shqiptaro-francez, që riktheu Shqipërinë në Kanë për herë të dytë pas filmit” Skënderbeu në 1954-n, nuk arriti të fitonte si “Filmi më i mirë me metrazh të shkurtër”, është një ndër filmat më të përfolur të momentit.
“The Van” (Furgoni) fitoi çmim si filmi më i mirë në kategorinë e vetë në Molise Cinema Film Festival, Batroun Mediterranean Film Festival, Seanema Film Festival, Tetova Film Festival si edhe çmimin “Regjia më e mirë” në Balkan Film Food Festival. Së fundmi, “The Van” fitoi edhe si filmi më i mirë me metrazh të shkurtër në Urban Films Festival në Francë.
Me regji të Erenik Beqirit, nën interpretimin e protagonistëve Arben Bajraktaraj dhe aktorit francez Phénix Brossard, “The Van” tregon historinë e një të riu (Phénix Brossard ), i cili kërkon të emigrojë jashtë vendit. Për të fituar paratë që i duhen për t’u larguar, ai pranon të bëhet pjesë e disa ndeshjeve brenda një furgoni në lëvizje. Dyert e furgonit mbyllen dhe prej tij duhet të dalë vetëm një fitues.
Në role të tjera janë edhe aktorët e njohur Afrim Muçaj, Romir Zalla dhe Lulzim Zeqja.

Regjisori shqiptar ka studiuar në Akademinë e Arteve dhe më parë ka realizuar edhe disa filma të tjerë me metrazh të shkurër, si “Bon Appetit”, “Alphonso”, “Parate”.

“Te Van” u dha në kinema gjatë Festivalit të Filmit në Tiranë dhe për momentin po vazhdon rrugëtimin në festivale të tjera ndërkombëtare.
Anabel kontaktoi me regjisorin Erenik Beqiri, i cili u shpreh se së shpejti filmi do të jetë sërish në kinematë vendase.