Letra e ditës

U dashurova me pedagogun, pa e ditur se një ditë do t’i shkatërroja jetën

Shkruar nga Anabel

25 Tetor 2019

U dashurova me pedagogun, pa e ditur se një ditë do t’i

"Dua t’ju bëj me dije se emri im është Andja dhe jam 24 vjeçe. Isha në vit të dytë në fakultet. Atë vit, ndër të tjerë, më jepte mësim një pedagog i ri në moshë. Nuk e di, por që ditën e parë më tërhoqi shumë mënyrë e shpjegimit dhe gjuha e trupit. Kishte gjestikulacion mbresëlënës, një mënyrë komunikimi gjithëpërfshirëse. Me pak fjalë, orët e tij ishin të mbushura plot me studentë. Jo për të lavdëruar veten, por unë isha studente mbi mesataren dhe shumë aktive gjatë orëve të seminarëve dhe leksioneve.

Kaluan disa ditë dhe shoh se pedagogu më kishte bërë ftesë në Facebook. Në fakt, u habita shumë se nuk e prisja dhe as që e mendoja. Që nga ajo ditë, jemi shkruar përditë me njëri-tjetrin. Me kalimin e ditëve, fillova të ndjeja për të një gjë të çuditshme, por nuk e kuptoja. U bëra e fiksuar pas tij dhe sa herë e shikoja në fakultet, më përshëndeste nga larg. Më kapte një e qeshur vesh më vesh, një lloj ndjesie kënaqësie.

Një ditë, shkova ta takoja në zyrë se duhet të dorëzoja një detyrë kursi sepse kisha munguar një ditë përpara. Nuk e kuptova ç’më gjeti, më kapën djersë të ftohta, një nxehtësi në trup gjatë kohës që isha aty. Ai asnjëherë nuk më dha shkas për ngacmime. U afrua, më pyeti çfarë kam që nuk ndihem mirë dhe unë e putha me gjithë pasion e forcë. Ishte puthje që zgjati ca, por më pas i thirra mendjes. U shkëputëm dhe i kërkova falje duke dalë me vrap nga zyra e duke qarë.

I mungova për dy javë në mësim dhe në Facebook nuk i shkruajta më. Pas dy javësh, kur mbaroi ora, më thërret në zyrë në mes të klasës. U detyrova dhe shkova. I kërkova ndjesë për sjelljen, por më habiti fakti që ai nuk ndihej në siklet, madje po mundohej të ma bënte më të lehtë situatën dhe më tha: “Unë nuk mund të të përgjigjem se etika e pedagogut nuk ma lejon. Ti je akoma studentja ime.”

E mbajtëm njëfarë shoqërie shumë të afërt deri kur mbaroi semestri dhe më pas u lidhëm. Ma bën të qartë që në fillim se është i martuar, por unë nuk doja t’ia dija sepse ndjenjat ishin më të forta se arsyeja. Frekuentoheshim rregullisht. Pas një viti lidhje, na gjen gruaja e tij në lokal duke u prekur me njëri-tjetrin. Që prej asaj dite dhe gjashtë muaj më pas, jeta ime u kthye në një ferr të vërtetë. Ai u nda me gruan e tij. Kishin dhe një fëmijë, por unë nuk e dija. E kam kërkuar gruan e tij ta takoj dhe t’ia bëj të qartë se faji ishte i imi dhe jo i të shoqit, por ajo s’ka pranuar. I gjeta numrin e telefonit, i dërgoja mesazhe ku e sqaroja për çdo gjë, por ajo kishte vendosur të mos ndërronte mendje.

Unë me ish profesorin i shkëputëm lidhjet totalisht dhe tani, ai ma hedh fajin mua për çdo gjë. E pranoj që unë e nisa e para, unë u tregova e nxituar, por a komandohet ndjenja e fortë e dashurisë dhe joshjes? Unë jam penduar, e di që shkatërrova një familje, që prisha qetësinë e një fëmije të pafajshëm dhe për këtë ndihem shumë keq. Si ta heq gjithë këtë peshë faji ku as ai për të cilin dikur ndjeva fort nuk do të më shohë në sy?"

Dërguar në redaksinë e Anabel në shtator të 2014-s