Kur Eminem u shpreh në këngën “The Ringer” se ishte vizituar nga Shërbimi Sekret Amerikan, për shkak të teksteve kërcënuese në lidhje me presidentin Donald Trump, një pjesë e mirë mendoi që ishte shprehje figurative, por ja që jo.
Në gusht të 2018-s, Eminem publikoi albumin “Kamikaze”, disa muaj pas “Revival”. Kënga “The Ringer” e “Kamikaze” mori tepër vëmendje për shkak të përmendjes së Shërbimit Sekret. Asokohe, Buzzfeed News, përmes Aktit të së Drejtës për Informim, kërkoi informacion nëse ishte e vërtetë që Eminem u mor në pyetje.
Këtë javë, agjencia ktheu përgjigje përmes një dokumenti 40 faqësh, ku provohet se po, reperi u intervistua për “sjellje të papranueshme” dhe “kërcënim”.
Sipas dokumentit, Eminem u pyet në lidhje me përmbajtjen e këngës “Frame”, pjesë e “Revival”. Te “Frame”, reperi luan rolin e një vrasësi serial, ku pyet veten si përfundoi trupi i Ivanka Trump (vajza e Donald Trump) në bagazhin e makinës së tij.
Investigimi për Eminem nisi pasi një punonjës i tabloidit TMZ shkroi një email drejtuar agjentëve të Shërbimit Sekret. “Dua të di nëse agjencia juaj po investigon në lidhje me kërcënimin e Eminem për vajzën e Donald Trump?” shkroi punonjësi.
Pas takimit me këngëtarin dhe avokatët e tij, Shërbimi Sekret vendosi që çështja të mos u kalonte prokurorëve federalë.
Në dhjetor të dy viteve më parë, në një intervistë për Vulture, Eminem u shpreh kështu për Trump-in:
“Gjithë çfarë bën është të shohë lajmet në Fox News dhe t’i përsërisë nga pas si papagall. Acarohem kur mendoj për të, ja kaq shumë më nevrikos ai mua. Më vlon gjaku kur e mendoj. Dua të bëhet më e mira për vendin, por me të në krye s’ka për t’u bërë kurrë. Njerëzit që e mbështesin janë ata që s’u plas hiç [për vendin]. U ka bërë lavazh truri.”