Më 4 nëntor 2012, Rita Ora publikoi “Shina Ya Light,” videon muzikore të të cilës e xhiroi në Prishtinë. “Jam lindur në një qytet të vogël të quajtur Prishtinë,” shpjegoi zgjedhjen asokohe Rita. “Jam krenare që po e bëj më të njohur në botë. Jemi njerëz patriotikë dhe e përmendim gjithmonë nga jemi.”
Në përvjetorin e këngës, ajo postoi një dedikim në Instagram, me një thumbim të fshehur këndshëm. “Sot është përvjetori i këngës sime, ‘Shine Ya Light!’ Kaq shumë kujtime të bukura nga xhirimet në Kosovë si e para që ia tha me krenari botës nga është! Kaq shumë njerëz bënë të mundur këtë video, kaq shumë njerëz erdhën të më takonin mua! Është një nga këngët e mira të para dhe s’do ta harroj kurrë. Faleminderit të gjithëve,” shkruan ajo në Instagram.
Le të kthehemi pas ca fjali. “E para që ia tha me krenari botës nga është,” thotë Rita, pikërisht tani kur yjet botërorë me origjinë shqiptare nuk i numëron dot më me gishtat e njërës dorë. Kemi Dua Lipën, Bebe Rexhën, Ava Max, Ilira, Action Bronson, Gashi, Era Istrefi, Ermal Meta... Rita thekson se ishte e para sikur të ishte arritje, kur në fakt është thjesht fat. Se ç’është e drejta, asnjë nga yjet e tjerë të listuar s’e ka fshehur faktin që janë nga Shqipëria, Kosova apo që kanë origjinën prej këtej. Thjesht u bënë të famshëm pak më vonë.
Pse e ka me Duan dhe jo me të tjerët? Epo, sepse atë sheh si të barabartë me veten. Janë rritur në Angli, me prindër që emigruan atje, të dyja i bëri të famshme një këngë e vetme, të dyja rikthehen në atdhe me koncerte dhe tani po shijojnë suksesin ndërkombëtar. Ama, Dua është më e vlerësuar botërisht, si fituese e dy çmimeve Grammy, ndërsa Rita e asnjë. Për më tepër që nuk flasin për një miriadë arsyesh, por kjo është histori më vete.
Ndoshta shpreson që ky lloj patriotizmi do ta bëjë më të pëlqyeshme në sytë e publikut, por s’jemi të sigurt në po funksionon.