Udhetim

Shtëpi në Siçili për €1: Çfarë ndodhi në të vërtetë?

Shkruar nga Anabel

12 Nëntor 2019

Shtëpi në Siçili për €1: Çfarë ndodhi

Dukej si një marrëveshje tepër e mirë për të qenë 100% e vërtetë. Një shtëpi e re – me gjasë, edhe një jetë e re – në Italinë rurale, për vetëm 1 euro. Gjatë vitit të kaluar, shumë qytete të vogla, nga Siçilia deri në Alpet veriore, ofruan shtëpi për 1 euro, me shpresën për të rigjallëruar komunitetet “e vdekura”.

Shtëpi në Siçili për €1: Çfarë ndodhi
Siçili

Një marrëveshje e tillë, e publikuar nga CNN dhe media të tjera, bëri për vete shumë njerëz, të cilët u joshën nga nocioni romantik për të braktisur metropolet dhe për t’u vendosur diku larg, në fshat.

Shumë qytete u bënë pjesë e nismës Shtëpi për 1 Euro dhe sigurisht pati aplikime pafund. Por, e ka blerë dikush vërtet një shtëpi për 1 euro? Dhe nëse po, çfarë ndodhi më pas?

Shtëpi në Siçili për €1: Çfarë ndodhi
Siçili

Sambuca di Sicilia, një qytezë e vogël në Agrigento në Siçili, ndonëse u shpall në 2016-n si qyteti më i bukur në Itali, u prek nga fenomeni i braktisjes, duke qenë se banorët shpërnguleshin gjithnjë e më tepër drejt qyteteve të mëdha aty pranë. Siç e thamë më sipër, bashkia vendosi të bëhej pjesë e iniciativës dhe nxorri në shitje 20 shtëpi bosh, nga 40 – 150 metra katrorë për vetëm 1 euro.

Shtëpi në Siçili për €1: Çfarë ndodhi
Morgane Guihot dhe bashkëshorti

Morgane Guihot, nga Nantes, Francë, dhe bashkëshorti i saj ishin nga blerësit e parë që aplikuan për të marrë një shtëpi në Mussomeli, qytet në Siçili, i cili dallohet për rrugët e ngushta që grumbullohen rreth një kalaje në kodër.

Shtëpi në Siçili për €1: Çfarë ndodhi
Mussomeli

Ajo dhe bashkëshorti i saj menduan të kishin një shtëpi tjetër, që do të shërbente si shtëpi pushimesh për familjen e tyre gjatë periudhës së Krishtlindjes dhe verës.

Pasi e morën shtëpinë, për 1 euro, ata nisën rinovimin. Sigurisht që duhej investuar, pasi në shtëpi mungonin shumë elemente të rëndësishme. Çifti u kujdesën të lyenin muret, rregulluan dyshemenë dhe çatinë dhe jo vetëm.

Ata u shprehën për CNN se “procesi i rregullimit shkoi më mirë sesa pritej”. “Menduam se do të ishte në gjendje shumë më të keqe. Vajzat e agjencisë së pasurive të patundshme na ndihmuan për shumë gjëra,” thanë ata dhe ndërkohë theksuan se shtëpinë në Mussomeli e shohin si një vendbanim kur të dalin në pension.

Por megjithatë nuk ndodhi gjithnjë kështu. Sipas CNN, për shkak të numrit të madh të aplikimeve, bashkitë e shfrytëzuan momentin për biznes. Blerës të shumtë nga e gjithë bota “pushtuan” Sambuca-n për të blerë shtëpinë e ëndrrave në ishullin me diell.

Shtëpi në Siçili për €1: Çfarë ndodhi
Sambuca

Kryetari i komunës vendosi ta shndërronte procesin në ankand. Shumë shtëpi u shitën për 25,000 euro – dukshëm shumë më tepër se 1 euro, por mbetet pazar i mirë gjithsesi.

Një nismë të tillë e kanë përqafuar edhe vende të tjera, si Ollalai në ishullin e Sardenjës. Theksojmë që përpos aplikimit, sigurisht që u zbatuan edhe kushte paraprake, ku blerësi duhet të depozitonte 5,000 euro për shtëpitë e përzgjedhura, shumë të cilën e merrte sërish pasi përfundonte rinovimin e shtëpisë.