Në nëntor të vitit 1985, Lady Diana dhe John Travolta ishin të ftuar në një mbrëmje organizuar nga presidenti i Amerikës asokohe, Ronald Reagan dhe bashkëshortja e tij, Nancy. Travolta mbante veshur një kostum të zi, ndërsa Diana një fustan prej cope kadifeje në ngjyrë blu të errët, shoqëruar me një varëse me gur safiri dhe perla.
Fustani i Victor Edelstein Couture u kthye në një nga fustanet më ikonikë të princeshës, për shkak të domethënies që mori atë natë.
Lady Diana dhe princi Charles morën pjesë në darkën e organizuar në Shtëpinë e Bardhë në natën e parë të turneut të tyre mbretëror në SHBA, së bashku me të ftuar të tjerë si Neil Diamond, Leontyne Price, Tom Selleck, Gloria Vanderbilt, Estée Lauder, Clint Eastwood dhe Mikhail Baryshnikov. Diana personalisht kërkoi që të ftoheshin Travolta, Eastwood dhe Diamond. The Washington Post raportoi asokohe se Neil Diamond tha: “Jam kaq nervoz. Stomaku im është gjithë flutura. Më mirë do ishte të përballesha me një audiencë prej 20,000 njerëzish.”
Travolta tha më vonë për ABC News se ai moment ishte një nga momentet më të rëndësishëm të jetës së tij. Bëhet fjalë për kërcimin e tyre.
Diana, një nga figurat më të njohura dhe më të diskutuara të Mbretërisë së Bashkuar, kërceu me një nga yjet më të famshëm në Hollywood-in e asaj kohe. Diana dhe Travolta vallëzuan nën tingujt e filmit “Saturday Night Fever”, një nga filmat që e vendosi Travolta-n në qendër të vëmendjes.
Vallëzimi i Diana-s nën shoqërinë e një ylli të Hollywood-it shkaktoi jo pak komente dhe sot, fustani nga Victor Edelstein konsiderohet si një nga veshjet më ikonike të saj.
Të njëjtin fustan, Diana e veshi edhe në evente madhore, duke përfshirë këtu një vizitë shtetërore në Austri në 1986-n, një në Shtëpinë Mbretërore të Operës në 1991-shin dhe me të njëjtin fustan u fotografua nga fotografi britanik Antony Charles Robert Armstrong-Jones i njohur si Lord Snowdon sepse në 1960–1978 ishte bashkëshorti i princeshës Margaret (motra e mbretëreshës Elizabeth II), kontesha e Snowdon.
Fustani ikonik i Lady Diana-s do të dalë në ankand më 9 dhjetor, ku pritet që shifra të shkojë në £350,000. Nuk është hera e parë që fustani i famshëm shitet në ankand.
Diana e shiti atë fillimisht dy muaj para se të ndërronte jetë në 1997-n, për të mbledhur fonde për krijimin e një fondacioni për luftën kundër kancerit dhe sidës. Fustani u ble për £100,000 nga një biznesmend në Florida, i cili e shiti në 2013-n për £240,000.
Burimi: CNN, The Washington Post