Emisioni “Vizioni i pasdites” në Vizion Plus vendosi t’u bënte një lojë studentëve të Filologjikut duke ndërthurur autorë me vepra të ndryshme artistike. Pra, po themi “Qyteti i fundit” (Petro Marko) me Ismail Kadarenë. Duke qenë se përgjigjet qenë “të tmerrshme”, pra studentët nuk e kapën gabimin, në emision u ftuan Anila Mullahi (pedagoge në departamentin e Letërsisë), Aida Baro (përkthyese), Anisa Ymeri (gazetare) dhe Irena Toçi (botuese). Diskutimi: “Të rinjtë nuk lexojnë”.
Më tepër sesa tema e diskutimit, shqetësuese është mënyra e arritjes në këtë përfundim. Videoja e emisionit nuk vërteton asgjë, për shumë arsye.
Së pari, intervistat e shkurtra në rrugë nuk janë të mjaftueshme për të arritur në përfundime të kësaj natyre. Lipset një sondazh më i mirëfilltë, që vlen të merret në konsideratë nëse kap shifrat 1000 për 1 milion banorë. Studentët e intervistuar numërohen me gishtat e dorës.
Së dyti, sa siguri kemi ne që pjesa dërrmuese u përgjigj gabim? Në këtë pikë, është mëse e qartë që në emision u transmetuan intervistat e atyre që thanë se “Lahuta e Malcis” është shkruar nga Kadare dhe “Kronikë në gur” nga Gjergj Fishta.
Së treti, intervista u krye në oborrin e Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, si për të ironizuar që edhe studentët e gjuhës shqipe dhe letërsisë nuk lexojnë. Në fakt, te Filologjiku, përveç departamentit të Gjuhësisë dhe Letërsisë përfshihet edhe departamenti i Gazetarisë dhe Komunikimit, Arkeologjisë dhe Trashëgimisë Kulturore, departamenti i Gjeografisë dhe ai i Historisë. Madje në po të njëjtën godinë kryejnë mësim edhe studentët e Gjuhëve të Huaja.
“Një intervistë pa lidhje, aty mund të keni kapur këdo për ta pyetur,” shkruan dikush në YouTube. Po kështu Anila Mullahi theksoi se në atë godinë kalojnë pothuajse të gjithë studentët e Qytetit Studenti.
E thënë më thjesht, nuk mund të pretendosh se studentët e Filologjikut nuk lexojnë duke intervistuar njerëz të rastësishëm që kalojnë në oborrin e godinës, ku dukshëm nuk ka asnjë provë tjetër që studiojnë aty.
Një tjetër çështje e rëndësishme lidhet me përballjen me kamerën. Jo të gjithë reagojnë njësoj dhe janë të aftë të kontrollojnë emocionet. “Po ‘Kronikë në gur’ librin e fundit të Kadaresë e ke lexuar?” e pyet gazetari një vajzë. “Po, e kam lexuar. Po u bë kohë tashmë që e kam lexuar,” thotë ajo dhe nuk është fundi i botës që të mos e dijë që “Kronikë në gur” nuk është libri i fundit i shkrimtarit. Ndoshta edhe e di, por s’i kushtoi rëndësi përcaktorit “libri i fundit”.
Për ta përmbyllur, është e pavend që në 2019-n të pretendosh që të rinjtë nuk lexojnë . Sot, pjesa më e madhe është pothuajse gjatë gjithë kohës në kontakt me informacione të shumëllojshme.
Vërtet mund të mos lexojnë Petro Markon dhe Gjergj Fishtën, por kjo s’do të thotë se nuk lexojnë autorë të tjerë. Po edhe sikur të mos lexojnë, se jo të gjithë janë të dhënë pas librit dhe fundja nuk ka asgjë të keqe, informohen përmes filmave dhe dokumentarëve. Po kështu, jo të gjithë lexojnë libra artistikë; po themi disa janë të dhënë pas librave për biznesin.
E nëse duam të diskutojmë vërtet, eja flasim për gjendjen skandaloze të Bibliotekës Kombëtare dhe bibliotekës së Filologjikut. Le të ngrejmë zërin për për ata që lexojnë se me intervista të rastësishme në rrugë është shumë e lehtë të bësh moralistin.