Të shtunën e kaluar, princi Andrew dha një intervistë për Emily Maitlis në Newsnight në BBC, ku foli për sjelljet seksuale dhe marrëdhënien e tij me Jeffrey Epstein, financier i diskredituar, i cili u akuzua dhe dënua për trafikim minorenësh, prostitucion minorenësh dhe abuzim seksual. Intervista nuk e bëri aspak princin të dukej mirë dhe pas skandalit, në fillim të javës deklaroi se do të hiqte dorë nga detyrat mbretërore.

Ekspertja e mbretërisë, Katie Nicholl, tha për Entertainment Tonight se qe pikërisht mbretëresha Elizabeth II që mori vendimin për Andrew-n. Sipas Nicholl, mbretëresha ishte e vetëdijshme se princi Andrew po shkaktonte dëme të mëdha në monarki ndaj duhej të tërhiqej.
“Në takimin me të, iu bë shumë e qartë se nuk kishte asnjë zgjidhje tjetër përveçse të hiqte dorë nga detyrat mbretërore. Duhet të ketë qenë tepër e vështirë për mbretëreshën,” tha Katie.
Deri tani, është ende e paqartë si do të vijojë çështja e princit i cili gjerësisht është konsideruar si djali i preferuar i mbretëreshës.
Të tjera burime thonë se princi Andrew do të mbajë një profil të ulët për shumë kohë.
Përsa i përket skandalit: Në intervistën e BBC, princi mohoi të ketë bërë seks me një vajzë adoleshente në shtëpinë e Ghislaine Maxwell sepse natën e ngjarjes, ka qenë në një festë për fëmijë në Pizza Express.
Shën.red. Ghislaine Maxwell ishte vajza e vogël e manjatit britanik Robert Maxwell, i njohur edhe për mashtrimet e tij në biznes. Pas vdekjes së të atit në 1991, Ghislaine u shpërngul në Shtetet e Bashkuara dhe u bë krahu i djaththë i Jeffrey Epstein.
Në deklaratat e tij shpeshherë kontradiktore, princi insistoi se s’kishte bërë seks me asnjë nga vajzat dhe gratë e trafikuara nga Epstein. Ai konfirmoi se kishte fluturuar me avionin privat të financierit, që quhej Lolita Express, kishte qëndruar në ishullin e tij privat dhe në shtëpitë e tij në Palm Beach dhe New York.
“Nëse je burrë, të bësh seks është diçka pozitive,” shpjegoi princi. “Është shumë e vështirë të harrosh diçka pozitive dhe unë s’mbaj mend asgjë.”
Kur u pyet në kishte bërë seks me Virginia Giuffre, dikur Virginia Roberts, kur ajo ishte 17 vjeçe, princi mohoi kategorikisht. Roberts ka thënë se ajo dhe princi kërcyen bashkë në Tramp Club në Londër, më 10 mars 2001 dhe më pas shkuan në shtëpinë e Maxwell, ku sipas saj, kryen marrëdhënie seksuale.
Për artikullin e plotë në lidhje me skandalin mbretëror, klikoni këtu.
Burimi: Cosmopolitan, Entertainment Tonight, CBC