Shkencë

Inxhinieri shqiptar shpjegon pasgoditjet e tërmetit

Shkruar nga Anabel

29 Nëntor 2019

Inxhinieri shqiptar shpjegon pasgoditjet e tërmetit

Një pjesë e mirë e panikut që ndjejmë për momentin shpjegohet me pasigurinë dhe mungesën e parashikimeve. Nuk mund t’i paraprish një tërmeti, por një pasgoditjeje, mesa duket po.

Enes Veliu, lektor në Inxhinierinë e Ndërtimit në UPT prej shtatë vitesh, përdori Ligjin e Modifikuar Omorit për të parashikuar pasgoditjet e tërmetit me magnitudë 6.4 të 26 nëntorit. Së pari, Ligji i Omorit thotë se frekuenca e pasgoditjeve pakësohet reciprocikisht me kohën e kaluar pas tërmetit të madh. Në fjalë të tjera, me kalimin e kohës, pasgoditjet pakësohen.

Sipas modelit të përshtatur nga Veliu, parashikohen afërsisht 300 pasgoditje me magnitudë më të madhe se tre dhe afërsisht katër pasgoditje me magnitudë më të madhe se pesë.

“Një parashikim për numrin e pasgoditjeve të tërmetit me Mw=6.4.

Parashikimi është bërë duke u bazuar në Modified Omori Law dhe në parametrat e një modeli të përshtatur për Italinë, Lolli and Gasperini (2003). Nga ky model rezulton që parashikohen të bien afërsisht 300 tërmete me Më më të madhe se 3 dhe afërsisht 4 tërmete me Mw më të madhe se 5. Ndërkohë që modeli vlerëson që M më e madhe se dy do të ndodhin mijëra herë.

P.S.: Për këtë studim u frymëzova nga një studim i ngjashëm për tërmetin e Durrësit, i bërë nga një profesor në Napoli, Iunio Iervolino. Profesori e kishte konsideruar Mw=6.5, ndërkohë që Më faktike është 6.4 dhe që aktualisht ka një efekt në vlerësimin e numrit të pasgoditjeve,” shkruan pedagogu në Facebook.

Që nga tërmeti i 26 nëntorit, kanë rënë plot të tjerë, ku tre prej tyre janë vlerësuar me magnitudë më të madhe se pesë.

Sidoqoftë, formula shpjegon sjelljen statistikore të pasgoditjeve; koha, shifrat dhe vendndodhjet e pasgoditjeve janë rastësore, por gjithmonë sipas këtij rregulli.