Social Buzz

Zyrtarisht, kjo është ngjyra e 2020-s

Shkruar nga Anabel

5 Dhjetor 2019

Zyrtarisht, kjo është ngjyra e 2020-s

Pak para fillimit të një dekade të re, që pa dyshim do të sjellë sfida të reja, Pantone Color Institute shpalli ngjyrën e vitit 2020: PANTONE 19-4050 Classic Blue, një blu qetësuese.

Tonaliteti llullaq na rikujton të përhershmen dhe klasiken; qiellin në agim, një kostum i pacen, liqenet e qeta a një tas të mbushur përplot me boronica.

Përzgjedhja e Classic Blue për 2020-n ka edhe më shumë domethënie kur kujtojmë se ngjyra e parë e kësaj tradite, më 1999, ishte bojëqielli, një tonalitet i butë që përfaqësonte emocionet e mijëvjeçarit të ri dhe zbuste ankthin që i parapriu vitit 2000. Ndikimi i bojëqiellit atë vit preku çdo fushë të jetës, duke nisur që nga trendet e arredimit e deri te haute couture; për referencë, mund të rishihni skenën ku Miranda Priestly në The Devil Wears Prada shpjegon se si një ngjyrë e vetme dominoi një industri globale.

Pra, nuk është çudi që në fund të një dekade dhe në fillim të një tjetre, Pantone i rikthehet familjes së ngjyrës blu, sidomos para një viti që do të sjellë plot sfida, frikëra dhe shpresë.

Zyrtarisht, kjo është ngjyra e 2020-s

“Si tani dhe edhe atëherë [1999], ekziston e njëjta ndjesi shqetësimi për botën, prandaj, bazuar në çfarë po ndodh nëpër kulturat rreth e rrotull, zgjodhëm Pantone 19-4052, Classic Blue, për ngjyrën e vitit 2020,” thotë për Time Laurie Pressman, zv.Presidente e Pantone Color Institute. “Është një nuancë relaksuese, plot qetësi dhe vetëbesim. Nxit afrimin.”

Zyrtarisht, kjo është ngjyra e 2020-s

Pressman tha se ngjyra thekson mbështetjen, besimin, integritetin dhe qëndrueshmërinë, të gjitha këto, tipare që vlerësohen në situatat stresuese dhe që ndryshojnë me shpejtësi. Gjithashtu, ngjyra i përngjan qiellit në agim, që shpjegon pse u fal qetësi kaq shumë njerëzve.

Zyrtarisht, kjo është ngjyra e 2020-s

“Qielli në agim – nuk është blu nate, është e mendueshme, por jo e errët dhe misterioze,” tha ajo. “Përfaqëson pritjen tonë. Kur mendon për qiellin në agim, di që dita s’ka mbaruar. Mendon për çfarë të pret në të ardhmen. Të qetëson, por edhe të provokon mendimet. Thekson dëshirat tona për një themel të fortë mbi të cilin mund të kalojmë rrugën drejt dekadës së re. Koha në të cilën po jetojmë kërkon besim dhe vetëbesim. Të gjithë shohim të njëjtin qiell blu dhe ndjejmë të njëjtën gjë.”

Zyrtarisht, kjo është ngjyra e 2020-s

Dhe vërtet, ngjyra është mëse e përshtatshme për këtë periudhë të jetëve tona; tonaliteti s’ka gjini dhe stinë, dhe mund të aksesohet nga kushdo, pavarësisht moshës. Për më tepër, nuanca llullaq mund të realizohet lehtësisht me burime bimore dhe bojëra, që përkon me lëvizjen e tanishme ekologjike.

Zyrtarisht, kjo është ngjyra e 2020-s

Disa mund ta lidhin blunë klasike me të kaluarën, por është edhe bashkohëse; duket bukur në një pulovër nga Off-White, duket bukur në një kostum tradicional nga Ralph Lauren.

“Po u rikthehemi klasikeve sepse bota është në kaos,” tha Pressman. “Por nuk po bëjmë çfarë bënim atëherë, po e riinterpretojmë.”

Burimi: Time