Shqipëria

Prej 10 vitesh e humbur: Nëna e Bleona Matës dyshon për ish-bashkëshortin!

Shkruar nga Anabel

5 Dhjetor 2019

Prej 10 vitesh e humbur: Nëna e Bleona Matës dyshon për

Nënë e Bleona Matës, e zhdukur që në maj të vitit 2010-të, ka bërë deklaratën e radhës, duke nxjerrë në pah të tjera aludime rreth vajzës së saj.

Gjatë një interviste për News24, Bukurie Mata i bën apel shtetit t'i pyesë dhe hetojë sërish të gjithë të akuzuarit për zhdukjen e vogëlushes.

“Ka 10 vite që është zhdukur vajza ime dhe nga shteti nuk kemi asnjë informacion, asnjë dritë jeshile për gjetjen e Bleonës, për bijën time të vetme. Unë i kisha kërkuar drejtësisë, që prej  10 vitesh! Pesë kriminelët rrinë të lirë, 5 dëshmitarët rrinë të lirë, 5 vajzat që e zhdukën Bleonën janë të lira."- u shpreh ajo, duke shtuar se tashmë e ka humbur besimin tek drejtësia shqiptare.

Ndër të tjera, Mata u shpreh se ish-bashkëshorti nuk e ka ndihmuar gjatë procesit të gjetjes së vajzës duke thënë se ai dhe motra e tij (halla e Bleonës) mund të kenë gisht në këtë histori.

"Nuk kemi asnjë lidhje, jemi ndarë me gjykatë. Ai si prind asnjëherë nuk e kërkon fëmijën, unë nuk e di çfarë prindi është ai. Çfarë babai është, sa i pamëshirshëm është, edhe këtu mund të hedhim dyshime se mund të dijë diçka dhe ai, bashkë me motrën e vet. Po na bën të dyshojmë, se 10 vite nuk bën asnjë thirrje për gjetjen e Bleonës. Vjehrri jonë e bën ndonjë thirrje shumë të rrallë."- përfundoi nëna.

Bleona humbi gjurmët në maj të vitit 2010, teksa kulloste bagëtinë së bashku me 5 vajza, të afërme të saj. Në atë kohë, por edhe vite më pas, rasti i vogëlueshes, sot 15-16 vjeç, shokoi mbarë opinionin publik, për aq kohë sa nuk kishte asnjë gjurmë dhe dëshmitë ndryshoheshin vazhdimisht.

Në shtator të këtij viti, sipas investigimeve të “Pa Gjurmë”, u aludua se Bleona dhe një tjetër vogëlush 7-vjeçar janë rrëmbyer nga një shtetas kroat, me emrin Sadat Toskiç.