Për mendimin tonë

Mbaruan shqiptarët që presim të na vlerësojnë të huajt?

Shkruar nga Sindi Salaj

20 Dhjetor 2019

Mbaruan shqiptarët që presim të na vlerësojnë të

Kur u njoftua për herë të parë se pjesë e jurisë që do të vlerësojë konkurrentët e “Festivalit të Këngës” do të ishin përfaqësues të huaj nga Eurovizioni, nuk kishin përfunduar ende aludimet dhe debatet për fituesin e parapërcaktuar. Në një rrethanë të atillë, ndoshta ndikuar edhe nga kompleksi i inferioritetit që karakterizon shtetet e vogla në përgjithësi, prania e përfaqësuesve të huaj u pa si zgjidhja më e drejtë përsa i përket vlerësimit të artistëve. Sidoqoftë, me gjithë respektin për CV-të e tyre të pasura, duhet thënë se nuk ishte zgjidhja më e mirë e mundshme.

Dikush mund të thotë me të drejtë se aq lëmsh i kemi bërë punët me “Festivalin e Këngës” sa vetëm kjo na kishte mbetur si mundësi. Në fakt, qëndron si argument. Prej vitesh, përflitet për pazaret me jurinë/produksionin, që parapërcakton qysh prej fillimit fituesin. Artistë, personazhe të njohur dhe njerëz të thjeshtë kanë theksuar vazhdimisht se votimi nuk është i drejtë. Për hir të së vërtetës, mbeten thjesht deklarata, të pavërtetuara me fakte publikisht. Por, për hir të logjikës, nuk mund të jenë të gjitha rastësi.

E megjithatë prania e një shumice të huaj në një juri me pesë anëtarë të bën të pyesësh veten nëse mbaruan shqiptarët që presim të na vlerësojnë të huajt?

Në një pjesë të mirë të komenteve online, përpos atyre që theksojnë kompleksin e inferioritetit, vihet re edhe shqetësimi mbi faktin që do të votojë një juri që nuk di shqip.

Duhet thënë se teksti ka rëndësi po aq sa gjithë elementët e tjerë që formojnë një këngë. Sado fantastike të jetë muzika, është e vështirë të gjykosh një këngë, gjuhën e së cilës ti nuk e kupton. Megjithatë vlerësimi për artistët e huaj nuk është ndonjë fenomen që ndodh për herë të parë; jo pak shtete zgjedhin të përfaqësohen dhe të vlerësohen në Eurovizion duke marrë pjesë me këngë jo në gjuhën angleze. Po kështu në
“Këngën Magjike” këtë vit juria gjykoi artistë të huaj që sigurisht nuk kënduan shqip. Problemi i tekstit - pavarësisht se humbet muzikalitetin dhe nuk vjen 100% njësoj gjatë kalimit nga njëra gjuhë në tjetrën - mund të zgjidhet duke e përkthyer. Ndaj problemi me jurinë e huaj qëndron tjetërkund.

Siç e thamë edhe më sipër, prania e përfaqësueve nga Eurovizioni u trajtua si e vetmja formë për të zgjedhur atë që e meriton më shumë fitoren. Pretendohet se ata nuk njohin askënd dhe sigurisht do të jenë më objektivë në gjykim. Megjithatë një njeri skeptik mund të pyesë se sa të sigurt jemi që nuk janë bërë biseda nën zë? Sigurisht që këtë nuk mund ta dimë dhe nuk mund të spekulojmë ndaj për të tretën herë pyesim: A nuk ka mjaftueshëm shqiptarë?

Nëpër komente, njerëz të shumtë vënë në dukje se Shqipëria ka jo pak poetë e muzikantë të shquar e nuk është aspak nevoja “të na japin mend të huajt”. “A nuk është ulje dhe mosvlerësim për ata që kanë vite që punojnë në skenë?” pyet dikush.

Pavarësisht problemeve teknike, nga audio te ndriçimi, frymëzimit ndoshta më shumë seç duhet nga festivale simotra europiane, si Sanremo, duhet thënë se ky edicion pati një lloj fryme ndryshe në tërësinë e vet. E për aq kohë sa ndryshimi erdhi nga një ekip shqiptar, do të thotë se po nga një ekip muzikantësh shqiptarë mund të vinte edhe ndryshimi rrënjësor në procesin e votimit. Shqiptarët e talentuar s’kanë mbaruar. Ndonjëherë të duhet thjesht t’i marrësh në telefon.

Komente:

Mbaruan shqiptarët që presim të na vlerësojnë të

Mbaruan shqiptarët që presim të na vlerësojnë të

Mbaruan shqiptarët që presim të na vlerësojnë të

Mbaruan shqiptarët që presim të na vlerësojnë të