Kompozitori i shquar Edmond Zhulali, i pari që çoi Shqipërinë në Eurovision me “The Image of You” – Anjeza Shahini (2004) dhe u rendit në vendin e shtatë apo “Carry Me in Your Dreams” – Kejsi Tola (2009), dha një intervistë së fundmi në rubrikën “Opinion” në News24 ku nuk i kurseu kritikat për mënyrën e organizimit të “Festivalit të Këngës”, ku sigurisht u ndal te votimi i jurisë.
Në fillim të intervistës, Zhulali theksoi se “është cenuar integriteti i këngës shqiptare”, për shkak të pranisë së kompozitorëve të huaj.
“Unë kam shprehur një shqetësim të madh, personal natyrisht. Kjo ka qenë kolona bazë e festivalit, ku këngëtarët dhe kompozitorët të jenë shqiptarë. TVSH mbahet nga taksat e shqiptarëve dhe i gjithë kjo duhet t’i kthehet qytetarëve. Kompozitori është ai që i jep frymën ose pamjen një këngë shqiptare dhe jo shqiptare. Gjithmonë synohet që këto këngë të jenë shqiptare. Duke cenuar këtë, cenon edhe integritetin e këngës shqiptare. Nëse ti cenon kolonën themelore të festivalit, kjo është shumë e rëndë. Ky është një vendim i drejtorit të festivalit. Është një vendim i drejtorit artistik Vera Grabocka. Festivali është institucion dhe ka një rregullore.”
Kompozitori vë në dukje se rregulli që nuk pranohen kompozitorë të huaj – dhe këtu e ka fjalën për Darko Dimitrov që kompozoi jo një, por dy këngë, “Shaj” dhe “Eja merre” – ka qenë i pranishëm gjithmonë.
“Në festivalin e Sanremos nuk lejohet asnjë konkurrent nëse nuk ka nënshtetësi italiane. Kriteret u mbajtën të fshehta, ndërsa unë nuk e kam ditur se një kompozitor mund të marrë pjesë me dy këngë. Drejtori i festivalit dhe drejtori artistik janë përgjegjës. Vera Grabocka nuk mund të ishte drejtore artistike. “
Zhulali tha se “nuk ka peshore në art”, që do të thotë se çdo njeri e percepton këngën sipas shijeve dhe formimit muzikor. “Kjo juri e përbërë nga pesë anëtarë kishte vetëm një kompozitor të huaj dhe ai ishte grek,” shtoi ai.
Përsa i përket votimit tepër të diskutuar të jurisë, Zhulali u shpreh se votimi duhej bërë në sallë, pasi është e vetmja mënyrë që të mos ketë manipulime.
“Gabimi në funksionimin e jurisë ishte që juria nuk votoi direkt në sallë, sepse duke votuar direkt në sallë dhe nuk ka kohë të manipulohet. Të dyja këngët janë shumë më të mira. Të dyja këngëtaret janë shumë të mira, kanë performancë shumë të mirë. Nëse juria do të funksiononte direkt në sallë, nuk do kishte vend për asnjë keqkuptim.”
Në lidhje me përfaqësimin e Shqipërisë në Eurovision me këngën “Shaj” të Arilena Arës, kompozuar nga Darko Dimitrov, Zhulali tha:
“Arilena është këngëtare shumë e mirë dhe kam shumë besim, por jam shumë zemërthyer.”