Instagramming

Vazhdon edhe më ashpër përplasja Bes Kallaku – Ermal Mamaqi

Shkruar nga Anabel

30 Dhjetor 2019

Vazhdon edhe më ashpër përplasja Bes Kallaku – Ermal Mamaqi

Nëse menduat se përfundoi debati mes Ermal Mamaqit dhe Bes Kallakut, që nisi me një koment të këtij të fundit për Encën, vazhdoi me tre fjalët ironike të Ermalit, gaboheni. Çunat, dy miq të vjetër që nga koha e “Portokallisë”, duket se nuk arritën ta sqaronin çështjen në privat, por zgjodhën të flisnin gjerë e gjatë në Instagram.

I pari që reagoi ishte Ermal Mamaqi, i cili ndër të tjera tha se “i vjen keq nga komentet e Besit te Luana”.

“Më lodhën njerëzit. Yyyy si tha ai për ty, që bën biznes dhe nuk bën humor. Ju kështu e ju ashtu. Si e tha atë për Encën e...E kështu gjërash. E vërteta është se edhe mua më erdhi keq kur pashë ato komente tek emisioni i Luanës për punën time. Çfarë do të thotë që bëj biznes? Ça është biznesi? Gjë e keqe? Apo mos ndoshta ‘2 gisht mjaltë’ është biznes dhe nuk ka humor?”

Në vijim, Mamaqi përmend shitjet e biletave të “Dy gisht mjaltë” dhe komenton edhe pjesëmarrjen në Festivalin e Filmit në Kanë.

“E kush jam unë të gjykoj punën e tjetrit dhe ta krahasoj me timen. Ajo që mund t’ju them është diçka që ju e dini dhe mund të vërtetohet në raportet internacionale për BoxOffice. ‘2 gisht mjaltë’ deri tani ka shitur 350.000 bileta në kinematë nga Shqipëria deri në Amerikë. Dhe sa për sqarim, në Kanë shkova me filmin dhe bashkë me Elvanën ashtu siç shkojnë 2 milionë kineastë nga e gjithë bota që sjellin filmat e tyre në panairin më të madh që bëhet për shitjen dhe promovimin e filmave. Nëse diçka funksionon, është biznes dhe është biznes i mirë. Dhe nuk ka asgjë për të na ardhur turp nga biznesi se nuk po shesim drogë.”

Përsa i përket komentit të Besit për Encën, Ermali e quan “të pakuptimtë dhe fyes”.

“Për Encën: Ballkone, veranda dhe shtesa pa leje. I pakuptimtë dhe shumë fyes si koment. Enca!!! Si producent dhe regjisor i filmit ‘I Love Tropoja’ më duhet të them se Enca më ka surprizuar. Një profesioniste e vërtetë që superoi çdo pritshmëri tonën dhe me talentin, përkushtimin dhe korrektesën e saj vuri në siklet dhe aktorë me eksperiencë në kinematografi. [...] Ky është misioni i artistit që të injektojë vlerë në jetët e njerëzve. Të sjellim shpresë, gëzim, t’i bëjmë njerëzit më të dashur dhe kjo është më e lehtë kur bëhet nëpërmjet humorit. Dhe ku ka më mirë se duke bërë humor të bësh edhe biznes. Se në fund të fundit, biznesi ynë është humori...Sovrani është populli, publiku. Ai vendos çfarë të shikojë edhe pse mund të rrijë 3 orë në radhë. Paqe miq. 29 Janar. I TROPOJA
P.S. Për biznesin: Objektiv kam të bëhem si Vasil Naçi ose Samir Mane nëse më pyesni.”

Nga ana tjetër, Besi u shpreh se i kërkoi falje Encës për komentin, të cilin e quan “batutë”.

“Meqë u bë kaq e madhe, pa asnjë qëllim të keq nga ana ime. E meqë edhe mua po më shkruajnë yyyy ça kishte shkruajt ai ashtu për e ça kishte thënë për ty. 2 sqarime të vogla: Encës i kërkova ndjesë për batutën direkt sa kishte dalë në portale. Por, zgjodhi këtë mënyrën tjetër të përgjigjes. Megjithatë e vlerësoj personalisht për çfarë ka arritur dhe s’kam pas kurrë asgjë me të dhe me askënd.

Ndër të tjera, ai shtoi se nuk është hera e parë që e ka shprehur faktin se “është më humorist se Ermali”.

“E dyta, shokut tim Ermalit këtë batutën ‘unë kam qejf të bëj humor, kurse Ermali do të bëj biznes’ ja kam thënë në emisionin e tij ‘Xing’ kur isha i ftuar edhe pse e preu në montazh. Këtë herën e dytë, kemi folur në telefon një ditë pasi ishte regjistruar ‘Shiko kush luan’ edhe i kam thënë në telefon ‘O lok, thashë këtë gjë për ty, je më i mirë se unë në biznes, por jo më humorist se unë’. Me të qeshur dhe urime mbyllëm telefonin me njëri-tjetrin. Tani kur gjërat shiten sikur nuk dihen edhe po i dëgjojmë për herë të parë, kjo më vret. Në krejt karrierën time, s’kam bërë asnjë hap duke ofenduar kënd, duke kërkuar protagonizëm në ‘skandale’ portalesh edhe duke mohuar punët e të tjerëve. As dua që të konkurroj me askënd, në fund publiku është ai që jep vlerësimin. Suksese secilit në punën e tij sepse as unë nuk e mendova që do të bëhej një vorbull e tillë.”

Mesa duket, sipas Besit, gjithë ky debat po shfrytëzohet nga Mamaqi për t’i dhënë rëndësi filmit “I Love Tropoja”. Ai ironizon krahasimin e Mamaqit me Samir Manen dhe Vasil Naçin dhe shprehet se “dëshiron t’i ngjajë Ijes”. Shifrat e biletave të shitura nga “Dy gisht mjaltë”, Besi i krahason me ditët e tij në Qendrën Vullnetare të Bubqit, ngritur pas tërmetit të 26 nëntorit.

“Kushdo që ta shfrytëzojë këtë për t’i shtuar kureshtjen punës së tij, mbarë i qoftë dhe u bëftë më i madh se Samiri dhe Vasili. Respekt. Unë dua t’i ngjaj Ijes sime dhe dua të jem gjithmonë Besi që jam. Qëllimi im është të mbajmë sa më gjatë Qendrën Vullnetare në Bubq ku kemi fiks 30 ditë që me shpirt mundohemi për t’i shërbyer bashkëfshatarëve të mi pas asaj fatkeqësie. Shifra e vetme që dua të arrij është ndërtimi i sa më shumë shtëpive në Bubq. Zoti ju ruajtë.”