Përmes një dekreti të veçantë të presidentit të Francës, Emmanuel Macron, shkrimtari Ismail Kadare është vlerësuar me titullin prestigjoz Oficer i Madh i Legjionit të Nderit duke u renditur kështu në mesin e 250 personaliteteve të shquara botërore që vlerësohen nga shteti francez.
Legjioni i Nderit është titulli më i lartë shtetëror i dhënë nga Franca që prej kohës së Napoleon Bonapartit, i cili e themeloi më 1802. Legjioni i Nderit jepet për meritat ushtarake dhe civile. Urdhri i Legjionit renditet me shkallë që vinë në rritje: Ushtar, Oficer, Komandant, Oficer i Madh dhe Kryqi i Madh.
Në vitin 2016, Kadare u vlerësua me titullin Komandant i Legjionit të Nderit. Shkrimtari, i cili sot jeton mes Francës dhe Shqipërisë, u bë bashkëpunëtor i huaj në Akademinë e Moralit, Politikës dhe Shkencave në Francë në vitin 1996, pas vdekjes së Karl Popper. Ndonëse vepra e tij “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” u përkthye në disa gjuhë të huaja, si bullgarisht, turqisht dhe serbo-kroatisht, ishte përkthimi në frëngjisht në vitin 1970 që i dha Kadaresë një shtysë drejt famës ndërkombëtare.
Së bashku me Kadarenë, u vlerësuan me titullin Oficer i Madh i Legjionit të Nderit edhe sociologia franceze Claudine Herzlich, filozofja bullgaro-franceze Julia Kristeva dhe Christiane Ziegler, kuratorja e departamentit të Antikitetit Egjiptian në muzeun e Luvrit.