Me fjalinë ironizuese “Çfarë kohërash po jetojmë...”, nga e cila u frymëzova për hir të së vërtetës, përfundonte një artikull i Blitz.al, në të cilin trajtohej përplasja e Revista Class me Xhemi Shehun dhe fatkeqësisht jetojmë në një kohë kur media ose nuk e ka kuptuar fuqinë që ka, ose po e shpërdoron atë. Ndonëse hymë në një dekadë të re, tre skandale mediatike më bënë të kuptoj se ndoshta po ecim mbrapsht. Më kundërshtoni nëse e kam gabim.
E marr me mend se çfarë do të kishte ndodhur në botë, të paktën në vendet europiane me të cilat kërkojmë të bashkohemi prej kohësh, nëse një skeç i një televizioni kombëtar do të diskriminonte një komunitet të caktuar. Sidoqoftë, në Shqipëri nuk ndodhi asgjë. Në Klanifornia, një personazhi që dukshëm përpiqet të jetë një stereotip i një individi gay, iu tha se “ishte për Ferr”. Ligji “Për mbrojtjen nga diskriminimi” e përcakton saktë se duhet respektuar parimi i barazisë në lidhje me gjininë, racën, ngjyrën, etninë, gjuhën, identitetin gjinor, orientimin seksual, bindjet politike, fetare ose filozofike, gjendjen ekonomike etj. Përpos kësaj, Autoriteti i Mediave Audiovizive thekson se një ndër parimet themelore për veprimtarinë e transmetimeve audiovizive është “respektimi paanshmërisht i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut”.
E thashë të gjithën këtë për të theksuar se ekziston një ligj dhe një rregullator që ndalon rreptësisht diskriminimin – ndonëse nuk funksionon. Megjithatë çështja shkon përtej zbatimit të ligjit dhe është shumë më problematike se kaq.
Në një kohë kur studime në vende të ndryshme tregojnë se 1 në 5 rinj të komunitetit LGBT+ tenton vetëvrasjen për shkak të diskriminimit, si është e mundur që promovohen skeçe të tilla? Cili është mesazhi i fjalisë “ti je për Ferr”?
Të sqaroj edhe diçka përpara se të kaloj në një tjetër çështje. Këtu nuk bëhet fjalë për biseda kafenesh. Olsi Bylyku, Julian Deda ose kushdo tjetër që nuk bie dakord me homoseksualitetin, është homofob dhe beson vetëm te martesat heteroseksuale, mund të vazhdojë të mendojë njësoj, nuk i prish punë askujt. Por në momentin që të tilla “biseda” transmetohen në një televizion që ndiqet nga të rinj dhe adoleshentë, që rastis të jenë edhe gay, atëherë më vjen keq ta pranoj, por po ecim mbrapsht. Le të bëhet humor me gay-t, por pa gjuhë urrejtje, ndryshe le ta pranojmë që po shkojmë në drejtim të kundërt me botën, në të cilën vetë Papa Françesku e ka pranuar homoseksualitetin.
Kalojmë tani te një tjetër skandal, po aq problematik sa i pari. Trajtimi i përdhunimit si diçka normale. Me siguri që ju ka rastisur të lexoni për deklaratën e Butrint Imerit në “Prive”, ku ndër të tjera tha se një mik i tij ishte përpjekur të bënte seks me një vajzë duke u hequr si Butrinti. Pra përdhunimin përmes mashtrimit, Butrinti e trajtoi si diçka “ekstrem funny”.
Për hir të së vërtetës, pati pak media që e trajtuan situatën në fjalë. Disa e trajtuan thjesht si raportim, disa morën copy paste artikullin e Anabel.al duke cituar burimin, ndërkohë që të tjerë nuk reaguan.
Përdhunimi mbetet përdhunim ndaj sado #butrintatorë ta ndiejmë veten, nuk mund ta anashkalojmë. Të them të drejtën, prisja një reagim ose një ndjesë publike nga një artist që pëlqehet nga më shumë se 849 mijë ndjekës, mes tyre vajza dhe djem të rinj e adoleshentë. Ndoshta nuk e dinte se seksi përmes mashtrimit quhet përdhunim, por as të pranishmit që qeshën nuk e dinin? As dikush nga post-produksioni nuk e dinte?
Sidoqoftë, ndoshta pas disa muajsh kjo histori do të harrohet dhe njerëzit do të merren me këngët e Butrintit. Shpresoj të paktën që të mos përsëritet.
Mbërrijmë te skandali tjetër: Përplasja mes Revista Class dhe Xhemi Shehut. Shokuese duhet thënë për aq kohë sa postimi vinte nga Class, një revistë të cilën e ndjek prej kohësh dhe karakterizohet nga stili “sweet” i të shkruarit. Te Revista Class personazhet rrallë kritikohen (ose nuk kritikohen fare), aq më tepër të bullizohen duke përdorur terma si “pseudonimi Xhemile”, “gagaçe”.
Siç e kam thënë edhe në këtë artikull, nuk duhen më shumë se dy neurone për të kuptuar se postimi për Xhemin dhe ai për Luanën dhe Marinën – ku në këtë të fundit krahasohet bukuria italiane dhe ajo arabe e përmenden sheikët e Dubait që “çmendën” vajzat e showbizit shqiptar – u stisën nga fakti që Xhemi dhe Marina ironizuan/bënë humor me faktin që Alketa ndërroi shumë fustane gjatë “Festivalit të Këngës”.

Për të sqaruar diçka, Marina ironizoi/bëri humor në “Klanifornia”, çka do të thotë se mos ndoshta duhej që pala tjetër të merrej me skenaristin që përgatiti skaletën? Nëse Xhemi bëri shaka/ironizoi në Story, a mos ndoshta ka të drejtën ta bëjë për aq kohë bëhet fjalë për një festival kombëtar dhe Xhemi, si të gjithë ne, paguan taksa për Festivalin?
Ndoshta është Alketa Vejsiu që flet përmes Revista Class, ndoshta Alketa nuk është fare në dijeni të gjithë gjullurdisë që po bën një e ashtuquajtur Xhesi – menaxherja e faqes në Instagram. Nuk di ta them, por sidoqoftë media nuk mund të personalizohet dhe ne duhet të mësohemi me këtë gjë. Class vërtet zotërohet nga Vejsiu, por nuk është aty për të kaluar në ofendime, gjuhë urrejtjeje dhe bullizëm për një shaka/ironi të bërë me ose pa qëllim.

Pa dashur të ndalem te fakti që Revista Class – një media feministe – bën dallime mes bukurisë arabe dhe asaj italiane, në një kohë kur influencues dhe personazhe të famshëm përpiqen të theksojnë se “bukuria” nuk ka standard, sepse kjo është tjetër çështje dhe meriton të trajtohet më vete, dua të theksoj se përpos faktit që media nuk mund të personalizohet, ndoshta duhet që personazhet publikë të mësojnë të reagojnë dhe kundërpërgjigjen me dinjitet. Të mos harrojmë se nëse ndodh që ofendohemi, nuk do të thotë që kemi të drejtë.
Nga gjithë ç’thashë, natyrshëm lindin shumë pyetje: Ç’na duhen artikujt motivues për gratë, kur nuk dimë të sillemi me njëra-tjetrën? Për çfarë na hyjnë në punë fushtatat sensibilizuese, kur media transmeton pa kurrfarë problemi përmbajtje homofobike, diskriminuese dhe që cënojnë të drejtat themelore të individit? A mos nuk po përparojmë aq sa pretendojmë? Ndoshta.
Sidoqoftë, ka ardhur koha që media dhe personazhet publikë të tregohen më përgjegjës për çfarë zgjedhin të transmetojnë te publiku, që ndodh edhe t’i imitojë. “Mos thuaj dhe mos bëj asgjë për të cilën s’do të ishe krenar/e që të vendosej në një billboard me foton tënde,” thotë Erin Bury. Zbatojeni nëpër media.