Art & Libra

Pse kjo pikturë e shekullit XV frikësoi njerëzit

Shkruar nga Anabel

23 Janar 2020

Pse kjo pikturë e shekullit XV frikësoi njerëzit

Restaurimi i një pikture të shekullit XV ka ngjallur debat te kritikët e artit.

Ghent Altarpiece, poliptiku i përfunduar në vitin 1432 nga vëllezërit dhe piktorët hollandezë Hubert dhe Jan Van Eyck, ka mahnitur botën prej shekujsh. I vendosur në katedralen e Shën Bavos në Ghent, Belgjikë, konsiderohet si piktura e parë me bojra vaji që fitoi famë ndërkombëtare.

Që prej vitit 2012, projekti me vlere 2.2 milionë euro, vazhdon punën për restaurimin e poliptikut. Në fazën e dytë të projektit, që përfundoi muajin e kaluar, restauruesit zbuluan disa detaje të papritura.

Ata u shprehën se një piktor tjetër, i paidentifikuar, ka ndryshuar pikturën kryesore të poliptikut. Mendohet se ai punoi me versionin origjinal në shekullin XVI.

Së fundmi, restauruesit kanë arritur të nxjerrin në pah fytyrën origjinale të qengjit të vendosur në qendër.

Pse kjo pikturë e shekullit XV frikësoi njerëzit

Hélène Dubois, drejtuese e projektit, tha për Gazetën Arti se qengji origjinal kishte një “ndërveprim më të fortë me shikuesin”.

Restaurimi përfundoi në fund të dhjetorit, por rezultatet u zbuluan së fundmi. Ashtu si ekipi, edhe njerëzit kanë shprehur habi për fytyrën e qengjit.

Ai përshkruhet si “shumë njerëzor” dhe me “sy depërtues, të ngjashëm me të njeriut, buzë të plota rozë dhe hundë të kërcyer”.

Pse kjo pikturë e shekullit XV frikësoi njerëzit

Edhe në rrjete sociale pati mosbesim. Disa bënë krahasimin me Kylie-n. Të tjerë shkruan se do të ishte më mirë që qengjit të mos i vendosnin fytyrën origjinale.

Në një deklaratë për BBC, Instituti Mbretëror për Trashëgiminë Kulturore u shpreh se vëllezërit Van Eyck zgjodhën të përfaqësojnë “Qengjin e Zotit me sy depërtues njerëzorë”, tipar tepër i zakonshëm në Mesjetë.

Piktura njihet si “Adhurimi i qengjit Mistik” dhe tregon një grup pelegrinësh që bëjnë homazhe tek Qengji i Perëndisë, që përfaqëson Jezusin.

Burimi: BBC, CNN