Ministria e Punëve të Jashtme konfirmoi për Top Channel se në Kinë ndodhen rreth 400 shqiptarë, mes tyre 60 studentë dhe të tjerë që mendohet se janë në marrëdhënie pune. Deri në këto momente, theksohet se nuk ka asnjë shqiptar të prekur nga virusi vdekjeprurës që ka alarmuar Kinën dhe mbarë botën, por mësues dhe studentë shqiptarë bëjnë thirrje për ndihmë.
Një mësues mësohet se ka kontaktuar me gazetarin e Top Channel, Muhamed Veliu, të cilit i thotë:
“Bashkë me nëntë miqtë e mi ne jetojmë në provincën e Changchun, Jilin. Punojmë si mësues të gjuhës angleze. Kemi katër ditë që nuk dalim nga shtëpitë. Jemi plotësisht të izoluar. Ndihemi shumë të rrezikuar dhe kemi nevojë. Nëse shteti shqiptarë mund të na ndihmojë të kthehemi pasi e kemi të pamundur. Situata sa vjen dhe po rëndohet.”
Një studente shqiptare, Josilda Ndreaj, e cila studion në Wuhan, epiqendrën e virusit, shkruan për Top Channel:
“Dua të iki sa më shpejt nga këtu. Situata sa vjen e po përkeqësohet. Vetë e kam të pamundur financiarisht të lëviz. Dua të kthehem në Shqipëri. Do t'i jem mirënjohës qeverisë shqiptare apo gjithkujt që do të mund të më ndihmoj në këto momente të vështira ku gjendem," ka thënë ajo në një intervistë për Top Channel.
Koronavirusi u identifikua gjatë dhjetorit në Wuhan, kur u raportuan simptoma të pneumonisë pa shkaqe të qarta, të cilat nuk u përgjigjeshin trajtimeve. Virusi është përhapur me shpejtësi nga mesi i janarit edhe në disa vende jashtë Kinës, por nuk është shpallur ende “emergjenca ndërkombëtare” sepse numri i të infektuarve jashtë Kinës është i ulët.
Wuhan, qyteti me 11 milionë banorë, zotëron tregje të mëdha me ushqime deti dhe kafshë të ndryshme, nga ku raportohet se ka burimin virusi. Më parë, mendohej se ky lloj virusi nuk transmetohej te njeriu, po së fundmi u vërtetua e kundërta.
Artikuj të rekomanduar: