Bota

Koronavirusi merr 106 jetë njerëzish, të infektuarit kapin mijërat

Shkruar nga Anabel

28 Janar 2020

Koronavirusi merr 106 jetë njerëzish, të infektuarit kapin

Koronavirusi i cili shpërtheu në Wuhan, Kinë, ka marrë deri më tani më shumë se 100 jetë njerëzish dhe ka infektuar më shumë se 4500 vetëm në Kinë.

Autoritetet e Hubei, provincës ku shpërtheu virusi, thonë se janë konfirmuar 1300 raste të tjera. Në total, në rajon janë infektuar 2700 njerëz. Shumica janë ende në spital, kur 125 prej tyre janë në gjendje kritike për jetën.

Janë identifikuar të infektuar në çdo provincë dhe rajon të Kinës, me përjashtim të Tibetit që ka mbyllur të gjitha atraksionet turistike dhe ka detyruar izolimin 2-javor të gjithë turistëve që hyjnë në shtet.

Koronavirusi merr 106 jetë njerëzish, të infektuarit kapin
Shtetet, rastet e identifikuara dhe të vdekurit

Zyrtarët kinezë kanë ndaluar tregtimin e kafshëve të egra, pasi besohet se virusi e ka origjinën nga një treg që shishte mish gjitarësh si lakuriqë nate apo mace civet, që kanë qenë shkaktarë të virusit SARS, i cili shpërtheu në vitin 2003. Tregu në Wuhan është mbyllur për t’u dizinfektuar.

Rastet e para u identifikuan në mes të dhjetorit. Që atëherë, të infektuarit kanë kapur mijërat dhe spitalet s’kanë më kapacitet dhe staf për t’u kujdesur për ta. Po ndërtohen dy spitale të reja në periferi të Wuhan që pritet të jenë funksionalë brenda javës.

Virusi përhapet me më shumë shpejtësi nga ç’besohej dhe mund të kalojë nga njëri person te tjetri pa shfaqur asnjë simptomë.

Koronavirusi nuk është aq vdekjeprurës sa SARS që vrau 700 njerëz në gjithë botën, por përhapet më me shpejtësi ose ngaqë është më ngjitës, ose ngaqë udhëtohet më shumë drejt Kinës tani sesa në vitin 2003.

Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme në Shqipëri ka kërkuar shmangien e udhëtimeve drejt Kinës prej situatës së krijuar. Për sa i përket shqiptarëve në Kinë që kanë nevojë për ndihmë, mund të kontaktojnë ambasadën tonë atje.

Ambasadori i Shqipërisë në Kinë, Selim Belortaja tha në një postim në Facebook se asnjë nga 400 shqiptarët në Kinë nuk është infektuar. “Kemi vetëm një studente në Wuhan të cilën po bëjmë çdo përpjekje ta nxjerrim. Nga testi fillestar doli ok. Të tjerët, në dijeninë tonë janë larguar nga Wuhan dhe kanë mbërritur ose po mbërrijnë në Atdhe,” shkruan Belortaja.

Lorenc Hashrova, Shef i Njësisë Kufitare të Inspektimit Shëndetësor në aeroportin e Rinasit tha dje në “Opinion” se Shqipëria nuk ka fluturime dierekte me Kinën. Prandaj, për të gjithë ata që duan të hyjnë në Shqipëri merret informacion nga vendet tranzit. “Në momentin që unë marr vesh se dy, tre persona kanë ardhur nga Kina, unë shkoj dhe i intervistoj në bazë të pyetësorit të OBSH-së. Në rast se ka shenja klinike, i ekzaminojmë me termometër me lazer,” tha Hashrova.

Burimi: CNN, Opinion