Në premierën e filmit të tij të dytë (e mërkurë, 29 janar), “I Love Tropoja”, gjatë fjalimit (via Xing.al), Ermal Mamaqi u ndal për të falenderuar disa nga njerëzit më të rëndësishëm për të, qofshin miq, kolegë e familjarë.
"Ju lutem një duartrokitje për Robert Ndrenikën, i cili ka ndenjur dy orë duke pritur. Faleminderit shumë profesor! Ju jam shumë mirënjohës të gjithëve që keni ardhur. Nuk e kam parë ndonjëherë këtë sallë me kaq shumë personalitete edhe këto dy javë kuptova që Shqipëria ka më shumë VIP-a se sa çka Pallati i Kongreseve karrige, prandaj premierën e bëmë në dy orare. Do jenë 5000 veta sonte dhe kjo do jetë premiera më e madhe që kemi bërë ndonjëherë.”
Në vijim, Ermali u ndal edhe te suksesi i filmit të parë, “Dy gisht mjaltë”, duke falenderuar Elvana Gjatën për pjesëmarrjen si një nga protagonistet e komedisë romantike.
“Dua të them disa fjalë tani sepse dua të falenderoj ca njerëz sepse keni bërë një punë goxha të madhe. ‘Dy gisht mjaltë’ është filmi me Box Office më të madh në kinematografinë shqiptare, për këtë jam shumë i lumtur dhe dua të falenderoj një njeri shumë special që ka një kontribut të barabartë me mua në këtë sukses: Faleminderit shumë Elvana Gjata.”
Për Mamaqin, “I Love Tropoja” është “arritja e tij më e madhe deri tani”.
“ ‘I love Tropoja’ është arritja ime më e madhe deri tani. Është një komedi misioni i së cilës nuk mbaron te batutat, që ju do merrni dhe do qeshni, por trajton disa tema, disa shqetësime, disa tema sociale që vazhdojnë dhe rëndojnë familjet shqiptare siç është patrialiteti, ose trajton temën si ngatërrohet nderi me turpin dhe sesi njerëzit mund të shkatërrojnë jetën nga kjo gjë. Ndoshta femrat e vuajnë më shumë këtë, megjithatë ajo që dua të theksoj është mesazhi që ka ky film: Zakonet dhe traditat që ne luftojmë më shumë janë pikërisht ato që na bëjnë bashkë."
View this post on Instagram
Pak para përfundimit të fjalimit, ai falenderoi Klaudia Brahimajn dhe Besnik Mustafajn, të cilët bashkë me Ermalin shkruan skenarin e filmit.
“Falenderoj Klaudia Brahimaj për një skenar të mrekullueshëm, falenderoj dhe Besnik Mustafaj për mbështetjen që dha në këtë vepër. Falenderoj dhe Amin që nuk u lodh nga mungesat e mia këtë vit.”
Në fund, shtoi:
“Jeta ka të bëjë me mënyrën si e shikon, nëse e shikon jetën me negativitet, me frikë, do ta vuash këtë. Nëse e shikon me pozitivitet dhe të mendosh që këtu ka një vlerë, ka një mundësi që ti mund ta përdorësh dhe ta kthesh në sukses. Këtë mund ta bësh vetëm nëse ke mundësi të konkurrosh veten tënde dhe të bëhesh çdo ditë versioni më i mirë i vetes tënde. Faleminderit shumë të gjithëve.”