Në një intervistë me gazetarin Muhamed Veliu në Top Channel, Josilda Ndreaj – e cila udhëtoi nga Wuhan, epiqendra e Koronavirusit për t’u kthyer në atdhe – rrëfeu për situatën kaotike në Kinë.
Josilda tregoi se pasi u informua për Koronavirusin, u përpoq që të ruante qetësinë në mënyrë që të vepronte siç duhej.
“Si fillim mendova të informohem sa më shumë për Koronavirusin sepse për të gjithë ne ishte një situatë e re pasi informacioni nuk është ende në masën e duhur për ta kuptuar se çfarë virusi është. U informova në mënyra të ndryshme duke lexuar artikuj nga mediat kineze. Kjo ishte faza e parë e të kuptuarit çfarë po ndodhte.”
Ajo tregoi se në momentin e përhapjes së virusit, ndodhej jashtë zonës së kampusit.
“Në momentin kur virusi nisi të përhapej unë ndodhesha jashtë zonës së kampusit. Ato momente nuk e kuptoja realisht situatën pasi isha vetëm në një shtet të huaj pa mbështetjen e fakultetit dhe universitetit apo të ndonjë forme tjetër. Mendova të kthehem tek familja ime deri në një moment tjetër sa të ndryshojë situate.”
Përsa i përket studentëve shqiptarë në Kinë, ajo shtoi:
“Mendoj se [kthimi] nuk mbetet në vullnetin e studentëve shqiptarë pasi kufijtë atje janë të mbyllur e si pasojë nuk ka shumë mënyra transporti. Me aq sa jam e informuar, ata janë në pritje të një udhëzimi të ri se si do të vijojë situata; nëse do të jetë e mundur rrugëkalimi në territore të tjera apo do të hapet aksesi për të udhëtuar jashtë Wuhanit.”
Ajo që është me rëndësi në këtë pikë është kontrolli i udhëtarëve që kanë pasur si destinacion Kinën ose zonat përreth saj.
“Në çdo zonë që kam kaluar jam kontrolluar duke nisur nga Shiani. Mund t’ju them se në sistemin e metrove kishte kontrolle të temperaturës. Më pas, kur ti kalon në aeroport, kontrollohesh se nga vjen. Ke dy ose më shumë kontrolle temperature në të gjitha pikat ku kalon. Edhe në Milano, në stacionin fundor për Air China u kontrolluam 3 apo 4 herë nga mjekët italian. Nuk na lanë të dalim nga avioni pa u kontrolluar. Të gjithë pasagjerët u kontrolluan disa herë për siguri maksimale mendoj.
Në Shqipëri gjithashtu me kontrolluan pasi vija nga Kina dhe kalova me sukses pa asnjë problem. Ishte e njëjta situatë pasi kisha kaluar kontrolle të mëparshme mbi tre filtra minimumi.”
Artikull i rekomanduar: