Koronavirusi i ri është shpallur urgjencë me rëndësi botërore nga Organizata Botërore e Shëndetit, duke qenë se po vijon të përhapet edhe jashtë Kinës.
“Këtë deklaratë nuk e nxiti çfarë po ndodh në Kinë, por çfarë po ndodh në shtetet e tjera,” tha kreu i OBSH, Tedros Adhanom Ghebreyesus. OBSH shqetësohet se virusi do të përhapet në shtete me shëndetësi në zhvillim e sipër ose të pazhvilluar.
Momentalisht, Shtetet e Bashkuara i kanë udhëzuar shtetasit të mos udhëtojnë drejt Kinës.
Në Kinë kanë vdekur të paktën 213 njerëz – kryesisht në provincën Hubei ku u shfaq për herë të parë virusi – dhe janë infektuar thuajse 10 mijë njerëz.
OBSH tha se janë 98 të infektuar në 18 shtete të tjera, por asnjë i vdekur.
Shumica e të infektuarve ndërkombëtarë kanë qenë në një moment në qytetin e Ëuhan, në provincën e Hubei, Kinë. Sidoqoftë, janë regjistruar raste të transmetimit nga njeriu në njeri në Gjermani, Japoni, Vietnam dhe Shtetet e Bashkuara.
Në një deklaratë për shtyp në Gjenevë, Dr. Tedros e përshkroi virusin si një “shpërthim të paprecedentë” që është hasur me “reagime të paprecedenta.”

Ai i lëvdoi masat e jashtëzakonshme që mori Kina dhe tha se s’ka asnjë arsye për të kufizuar udhëtimet apo tregtinë me Kinën.
Sa e pazakontë është shpallja e gjendjes emergjente nga OBSH
OBSH deklaron Emergjencë të Shëndetit Publik me Rëndësi Ndërkombëtare kur “ndodh një event i jashtëzakonshëm që përcaktohet si rrezik i përhapjes së sëmundjes në shtetet e tjera.”
Është deklaruar pesë herë më parë:
Virusi H1N1, që u përhap në gjithë botën në vitin 2009 dhe vrau më shumë se 200 mijë njerëz.
Poliomeliti, i cili ishte thuajse i shfarosur në 2012-n, por u rikthye në 2014-n.
Virusi Zika, i cili u përhap me shpejtësi në kontinentet amerikane në vitin 2016.
Virusi Ebola, që ka infektuar rreth 30 mijë njerëz dhe ka vrarë më shumë se 11 mijë vetëm në vitin 2014. Në 2019-n, virusi u rishfaq në Republikën Demokratike të Kongos.
Burimi: BBC