Bota

Koronavirus: Çfarë ndodh kur shpallet emergjenca botërore

Shkruar nga Anabel

31 Janar 2020

Koronavirus: Çfarë ndodh kur shpallet emergjenca botërore

Koronavirusi u shpall urgjencë me rëndësi ndërkombëtare nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), duke qenë se po vijon të përhapet edhe jashtë Kinës. 

Çfarë është një emergjencë botërore e shëndetit?

OBSH deklaron Emergjencë të Shëndetit Publik me Rëndësi Ndërkombëtare kur “ndodh një event i jashtëzakonshëm që përcaktohet si rrezik i përhapjes së sëmundjes në shtetet e tjera.” Deklarimi i një emergjence të tillë i shtyn vendet që të rrisin përgatitjen dhe parandalimin kundër përhapjes së sëmundjes, në këtë rast të Koronavirusit.

Çfarë masash duhet të vendosen kur shpallet një emergjencë botërore shëndetësore?

OBSH ka një fond për të tilla situata të jashtëzakonshme, i cili njihet si Fondi i Emergjencave. Fondi u ndahet zonave të prekurave dhe vendeve të tjera në mënyrë që të marrin masat e duhura për parandalimin ose ndalimin e përhapjes së sëmundjeve.

Po kështu, në të tilla situata, sigurohen fonde shtesë, te cilat vijnë nga kontributi i shteteve të caktuara.

Vendet anëtare të OBSH-së kanë një marrëveshje ligjore, në bazë të së cilës janë të detyruara të zbatojnë vendimet e OBSH-së, gjë që sjell një veprim më të koordinuar.

Gjatë kësaj periudhe të jashtëzakonshme, OBSH nuk këshillon ndalime totale të udhëtimeve. Megjithatë shumë kompani udhëtimi kanë zgjedhur të pezullojnë fluturimet drejt Kinës dhe zonave afër saj. Në rast udhëtimi, duhet të kontaktoni me kompanitë.

Përmes deklaratës që shpall urgjencën shëndetësore, OBSH inkurajon shtetet që të bashkëpunojnë sa më shumë që të jetë e mundur, duke koordinuar personelin, fondet dhe burimet e tjera të nevojshme për ndërhyrje.

Duke nënvizuar rreziqet, një gjendje e tillë ndihmon dhe bind qytetarët e vendeve të infektuara që të ndjekin udhëzimet për kushtet e higjienës dhe shëndetit.

Nëse disa shtete nuk zbatojnë masat e duhura, shpallja e emergjencës botërore ushtron presion të konsiderueshëm.

Burimi: Washington Post, ITV