“Destinacioni – Sanremo! Më uroni fat Shqipëria ime. Ju dua shumë të gjithëve. Shpresoj t’ju nderoj,” shkruan Alketa Vejsiu teksa udhëton me Air Albania për t’u përgatitur për Sanremo 2020.
Mbishkrimi i fotos përmban hashtag si “ëndrra” dhe e “e lumtur” dhe sigurisht, nisur nga ndikimi i Vejsiut nga televizioni italian, natyrshëm disa ndjekës i shkruan në komente nëse do t’i rikthehej sërish televizionit shqiptar. E thënë me fjalë të tjera: A është Sanremo maja e karrierës së Vejsiut, apo është fillimi i një rrugëtimi të ri?
Nëse i referohemi komenteve, Alketa do të rikthehet shumë shpejt në ekran me sezonin e ri të “Në kurthin e Piter Pan”. “Patjetër që do e prezantoj. Stafi i produksionit realizuan me sukses audicionin e fundit. Shihemi javën e dytë të shkurtit në Tv Klan,” iu përgjigj ajo një ndjekëseje.
Megjithatë, nëse kemi parasysh intervistat dhe të gjitha herët që Vejsiu ka folur për karrierën televizive dhe televizionin italian në veçanti, do të ishte e pakuptimtë nëse do të mendonim se moderatorja nuk ka plan, ose dëshirë të paktën, të ketë të tjera bashkëpunime me produksionet italiane.
Rreth tre vite më parë, në një intervistë për “E Diell”, asokohe drejtuar nga Adi Krasta, Alketa e cilësoi tregun mdiatik shqiptar si “tavan” dhe jo si “një qiell të pafundëm”.
“Mendoj që Shqipëria është një tavan, nuk është një qiell i pafundëm," tha ajo. "Mendoj që mund të kisha bërë diçka shumë më të mirë në një treg më të madh sesa Shqipëria. Italia do të kishte qenë një orientim shumë i mirë për mua, sepse më duket shumë afër Shqipërisë. Nuk e di pse Shqipëria dhe Italia më duken si një gjë e madhe e përbashkët kohëve të fundit. Kam patur si frymëzim dhe si pikë të mirë orientimi kohëve të fundit zhvillimet e Fascino-s, shoqëria e Maria De Filippi-t, një grua absolutisht e suksesshme me një intuitë fantastike për të zgjedhur ato që duhet[...] De Filippi dhe skuadra e saj janë një pikë e mirë orientimi për mua."
Sidoqoftë, Sanremo është një moment i rëndësishëm për Vejsiun e cila referuar intervistave, e planifikonte prej kohësh.