Letra e ditës

Historitë tuaja: ‘Letër për birin tim të vogël, që u bë forca ime më e madhe’

Shkruar nga Anabel

4 Shkurt 2020

Historitë tuaja: ‘Letër për birin tim të vogël,

Interneti, të paktën versioni më i prekshëm, është kthyer në një shpatull të ngrohtë elektronike, por që e bën punën njësoj. Çdo ditë, me qindra njerëz na shkruajnë për një mendim të dytë a të dyzetë. Në ndihmë të atyre që kanë nevojë për përvojën kolektive të qindra mijëra lexuesve të Anabel, menduam t’i postojmë letrat tuaja në formën e artikujve. Në këtë mënyrë, edhe ju i gjeni më lehtë kur të gjendeni në të njëjtën vështirësi ndonjë ditë. Faleminderit që na shkruani e faleminderit që na lexoni.

Historitë tuaja: ‘Letër për birin tim të vogël,

"Mirëmbrëma!

Si fillim, po ju tregoj vetëm se jam e bekuar që jam mami i dy fëmijëve, 15 dhe 13 vjeç. Mbase tepër e re në moshë, por në moshën 18-vjeçare u bëra nënë e një fëmije me probleme fizike ku si shkak i një hemoragjie cerebrale, biri im qëndron i ulur në një karrocë. Ai është tetraplegjik, pra janë të prekura të katërta gjymtyrët.

Ishte e vështirë kur je aq e re të përballosh netët e gjata korridoreve te spitaleve ndërkohë që biri yt qëndron me dhjetëra aparatura në sallën e reanimacionit. Ishte e vështirë kur një operacion i tij zgjati plot 13 orë dhe s’kishte asnjë mjek të të sqaronte se pse po zgjat kaq shumë. Ishin plot momente kur dorëzohesha dhe Zotit i thoja pseee, pse duhet të më ndodhte mua.

Megjithatë, çdo sfidë më forcoi më shumë. Nëse dikur dridhesha dhe i dorëzohesha gjithçkaje, sot jam kthyer në “Unë jam e fortë; unë mundem; biri im ka nevojë për mua; princesha ime ka nevojë për mua; nëna ime s’duhet të vuajë për mua; unë s’duhet të dorëzohem sepse unë duhet të jem për veten dhe ata që kanë nevojë për mua.”

Kështu mbaj mend kur teksa një ditë, kur isha komplet në depresion, i thoja vetes ç’dreqin po bëj?! Teksa shihja veten në pasqyrë e qaja si idiote, fillova të lyhem dhe njëkohësisht fshija lotët. Që nga ajo ditë, kurrë nuk dola nga shtëpia pa u rregulluar, as atëherë kur isha më keq, as atëherë kur shpirti po më vdiste.

Mundohem që kur dal të mos trasmetoj tek të tjerët asnjë pikë trishtimi timin; s’ma ka borxh askush. Fundja ç’do më thonë përveçse do shprehin keqardhjen. Askush nuk mund të të kuptoj nëse nuk e jeton vetë.

Ka nga ato që kur më shohin që më duhet ta lëviz djalin nga karroca në krevat apo e kundërta, ende më thonë "Sa e fortë që je”. Nuk është se jam e fortë, edhe mua më dhemb shpina, nuk mundem, por sytë e tij më presin mua. Ai më pret mua ta ndërroj, ushqej...më pret mua për çdo gjë.

Pastaj ka dhe nga ato mëndjelehtat që më thonë "Uaaa bravo ti, gjithmonë e veshur mirë, me stil, gjithmonë me makeup, të isha unë isha çmendur”.

Jo, të dashura jo. E kalova atë situatë. Kujt po i bëja keq përveçse vetes, fëmijëve të mi dhe nënës sime? Askujt tjetër.

Çdo mbrëmje, para se të fle, më është kthyer në rutinë që teksa e puth, falenderoj Zotin që ma ka dhuruar. Nëse ndonjë natë nuk e them, ai më pyet: "Mam, i ke thënë Zotit faleminderit sot?!” – shkruar nga një grua anonime për Revista Anabel në Facebook në lidhje me temën “Dita më e vështirë e jetës sime”.