Gra

Italianët nuk e donin në Sanremo: Ç’fshihet pas monologut prekës të gazetares?

Shkruar nga Anabel

4 Shkurt 2020

Italianët nuk e donin në Sanremo: Ç’fshihet pas monologut

Kur Amadeus, drejtori artistik i Sanremos, bëri me dije emrat grave të cilat do të ngjiten në skenën e festivalit, pati një lloj “revolte” në rrjete sociale për Rula Jebreal. Referuar postimeve të dokumentuara nga mediat italiane, një pjesë e ndjekësve duhet thënë se nuk ishin dakord me pjesëmarrjen e Jebreal.

Rula Jebreal, me shtetësi të dyfishtë izraelite dhe italiane, është një analiste, politikane dhe gazetare e njohur në Itali. Nisur nga informacionet në faqen e saj në Wikipedia, Rula ka studiuar në Universitetin e Bolonjës, ku u diplomua për fizioterapi. Në fushën e gazetarisë ka një eksperiencë prej 12 vitesh dhe ndër të tjera ka shkruar edhe tre libra, “Miral”, “The Bride of Aswan” dhe “Rejected”.

Pse u kritikua nga italianët?

Deklaratat e saj të mëparshme – në të cilat i quante italianët racistë – nuk u pritën mirë. Përpos kësaj, në rrjete sociale u shpërndanë edhe foto të saj me Harvey Weinstein, producentin e akuzuar për dhjetëra abuzime seksuale në Hollyëood. Vlen të thuhet se kompania e filmave Weinstein Company ka realizuar më parë një film, bazuar te libri i Jebreal, “Miral”.

Italianët nuk e donin në Sanremo: Ç’fshihet pas monologut

Në një intervistë së fundmi për Vanity Fair Italia, Rula foli edhe për takimin me Weinstein.

“Një herë e pashë që të keqtrajtonte një nga ndihmëset e tij,” tha gazetarja. “Ai i bërtiti dhe ajo iku duke qarë. I thashë se ishte me fat, sepse nëse do të më kishte ndodhur mua, do ta rrihja; ai do të përfundonte në spital, ndërsa unë në burg. Ndjeva përzbuzje totale. Gra si unë janë përballur me të tilla raste abuzimi në familje.”

Në natën e sotme të Sanremos, Rula do të ketë një monolog të përqëndruar te dhuna ndaj grave. Në intervistën për Vanity Fair, ajo tha:

“Nëna ime vrau veten pas një historie të vazhdueshme dhune në familje midis moshës 13 dhe 18-vjeçare.  Unë flas për fakte që i shoh. [Dhuna ndaj grave] është një betejë që duhet të luftohet edhe nga burrat. Të mos luftoj do të thotë se asgjë nuk ka ndryshuar që nga koha kur ime më kreu vetëvrasje. Ia kam borxh vajzës sime.”

Sanremo 2020 nisi sot (e martë, 4 shkurt) dhe do të vazhdojë deri në 8 shkurt.