Showbiz dhe TV

Jeta e jashtëzakonshme e Nexhmije Pagarushës

Shkruar nga Anabel

7 Shkurt 2020

Jeta e jashtëzakonshme e Nexhmije Pagarushës

Lindur në një fshat të vogël në Kosovë, në Pagarushë, Nexhmija u prezantua me muzikën falë babait të saj. Babai, Veseli, ishte mësues, ndërsa nëna, Sehide, ishte shtëpiake. Në një intervistë me Genta Popën, pak vite më parë, këngëtarja rrëfeu se kur ishte fëmijë, babai e mbante në prehër teksa i binte mandolinës. “Ndoshta aty e mora talentin,” tha ajo. Në moshën 4-vjeçare, Nexhmija humbi nënën. Si fëmija më i madh, ajo u kujdes për gjithë familjen e saj. Pak para Luftës së Dytë Botërore, familja e saj u shpërngul në Prizren ku ajo përfundoi shkollën fillore.

Gjimnazin, Nexhmija e ndoqi në Prishtinë, ku u njoh edhe me Melihate Hasanin, gjithashtu këngëtare. Melihatja e bindi Nexhmijen të regjistrohej në Radio Prishtina. 14 vjeçe, Nexhmija u bë këngëtarja solo e Radio Prishtinës.

Asokohe, Nexhmija u paragjykua nga opinioni publik pasi konsiderohej turp për një vajzë të re të këndonte në radio. Babai i saj u sigurua ta mbështeste dhe ta mbronte nga presioni i mjedisit konservativ. Përgjatë shkollës së mesme, talenti i Nexhmijes u bë i pamohueshëm. Në këto vite nisi edhe karriera e saj si aktore teatri dhe filmash.

18 vjeçe, Nexhmija shkoi në Beograd për të ndjekur një shkollë të mesme muzikore që e la pas dy vitesh. “Nuk më pëlqente të këndoja për kanto. Nuk më pëlqente ajo frymëmarrje e thellë. Sikur më pengonte,” tha këngëtarja për Shqiptarja.com në vitin 2018. “Unë kisha mënyrën time të të kënduarit, atë që më kishte falur natyra. Këtë zë që të gjitha ma pëlqenin, edhe pse ishte një zë i impostuar.”

Nexhmija u pranuan në Shoqatën e Arteve Kulturore “Ivo Lola Ribar.” Në Beograd ajo pati paraqitjen e saj të parë muzikore në skenë. Rreth vitit 1948, ajo u njoh me kompozitorin dhe muzikantin Rexho Mulliqi, i cili u bë bashkëshorti i saj. “Baresha,” ndoshta kënga më e famshme e saja, u kompozua nga Mulliqi. Ata sollën në jetë një djalë, Leonardin, që tani jeton me familjen e tij në Zvicër.

Në vitin 1953, ajo u kthye në Prishtinë dhe mbajti koncertin e parë të muzikës klasike. Nexhmija performoi arie të ndryshme nga Bethoveni, Puçini, Verde etj. I mbeti peng deri ditët e fundit të jetës fakti që ky koncert nuk u regjistrua. Fill pas kësaj, Radio Prishtina e punësoi si soliste.

Gjatë viteve ’60, Nexhmije Pagarusha udhëtoi botën për të dhënë koncerte. Ajo performoi në Austri, Belgjikë, Bullgari, Angli, Gjermani, Hollandë, Suedi, Amerikë dhe Lindjen e Mesme. Kështu, Pagarusha u bë e njohur edhe në botë.

Pagarusha ka marrë pjesë në festivale të shumta: Summer Song, Akorde Kosova, Jugovizija 1973. Në fillim të viteve ’70, BBC transmetoi një intervistë të hollësishme me këngëtaren.

Nexhmije Pagarusha ka kënduar më shumë se 150 këngë dhe ka interpretuar role në dhjetëra shfaqje teatrale e filma.

Në vitin 1984, pas një koncerti në Sarajevë, ajo hoqi dorë nga karriera në muzikë. Në vitin 2012, ajo mori titullin “Ndëri i Kombit” nga Presidenti Bujar Nishani. Ndërsa në vitin 2018, mori “Medaljen e Mirënjohjes” nga Presidenti Trump.

E mbyllim këtë biografi të shkurtër me një citat të Pagarushës: “Me këngën kam udhëtuar shumë dhe me këngën kam folur me gjuhën e popullit tim. Populli ynë ka një kulturë të lashtë. Ata kompozitorë pa emër kanë krijuar dhe i kanë dhënë emër këngës. Të rinjtë le ta këndojnë, por t’i japin shpirtin e popullit ku ka burimin.”