Sipas institucioneve të shëndetit publik në Amerikë, nëse përhapja e koronavirusit vijon me këto ritme, shumë shpejt do të kemi të bëjmë me një pandemi. Të infektuarit jashtë Kinës shtohen dita ditës, veçanërisht, në Korenë e Jugut, Iran dhe Itali.
Korea e Jugut ka më shumë se 1100 të infektuar dhe të paktën 12 të vdekur. Irani ka konfirmuar 95 raste dhe 15 të vdekur. Në Itali, janë prekur të paktën 322 njerëz dhe kanë vdekur 11. Algjeria, Kroacia, Spanja dhe Zvicra kanë raportuar të infektuarit e parë.
Organizata Botërore e Shëndetit është stepur nga klasifikimi i përhapjes së koronavirusit si pandemi, por me këto ritme, kriteret do të plotësohen.
Që të klasifikohet si pandemi, duhet që virusi të shkaktojë sëmundje, të transmetohet nga njëri njeri te tjetri dhe të shpërhapet në gjithë botën. Dy kriteret e para janë plotësuar.
Në Shqipëri janë testuar 13 raste të dyshuara, por sipas Ministrisë së Shëndetësisë, të gjitha analizat kanë dalë negative. Gjithashtu, ministria u bën thirrje atyre që kanë udhëtuar në vendet e prekura të telefonojnë në numrin 127 në rast se kanë shqetësime apo simptoma të koronavirusit.
Burimi: CNN, Top Channel