Nexhmije Hoxha, e veja e diktatorit Enver Hoxha, vdiq në moshën 99-vjeçare. Lajmin e konfirmuan për mediat familjarë të saj.
Nexhmije dhe Enver Hoxha u martuan në janar të 1945-s dhe patën tre fëmijë, dy djem dhe një vajzë. Gjatë komunizmit, gruaja e diktatorit Hoxha mbajti disa poste të rëndësishme, si drejtoreshë e Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste pranë Komitetit Qëndror të PPSH-së dhe ishte presidente e Bashkimit të Grave Antifashiste të Shqipërisë. Nexhmija ishte një nga përkrahëset më të flakta të diktatorit dhe nuk shfaqi kurrë publikisht falje për krimet e komunizmit. Në librat e saj, ajo e mbrojti në maksimum figurën e të shoqit.
Në vitin 1992, Nexhmija u arrestua me akuzën e abuzimit të fondeve dhe u dënua me 9 vjet burg, të cilat më pas u bënë 11 pasi apeloi në gradën e dytë të gjykimit. Nga këto, bëri vetëm 5 vjet burg pasi përfitoi nga amnistitë.
Në vitin 1995, Nexhmijes dhe zyrtarëve të tjerë të regjimit komunist iu hoqën të gjitha dekoratat dhe titujt e nderit për aktet kriminale të diktaturës.