Për mendimin tonë

Gratë vriten brenda mureve të shtëpisë, po muret a kanë veshë?

Shkruar nga Sindi Salaj

27 Shkurt 2020

Gratë vriten brenda mureve të shtëpisë, po muret a kanë

Dje, teksa rrjeti ziente nga “dedikimet e ndjera" për Nexhmije Hoxhën një burrë në Durrës vrau bashkëshorten me levë hekuri. Më gjithë dëshirën për të mos e parë kurrë atë video, edhe tani më oshëtijnë në veshë piskamat rrënqethëse të vajzës së të ndjerës, që kërkonte mes rënkimesh të shihte të ëmën. Një ditë para kësaj tragjedie, një burrë vrau ish-bashkëshorten dhe vëllain e saj. Pas një historiku të vazhdueshëm dhune në familje, ai u dënua me 10 muaj burg. 10 muaj! Në fillim të shkurtit, edhe Manjola 33 vjeçe, nënë e tre fëmijëve, u bë viktimë e bashkëshortit. Manjola kishte urdhër mbrojteje, por urdhëri nuk e mbrojti kurrë. Një ditë para Manjolës, Laureta ndërroi jetë sepse burri mendonte se e tradhtonte.

Kur raste dhune që shkojnë deri në tragjedi bëhen publike në media, e dini çfarë thuhet lartë e poshtë nëpër komente ose biseda kafenesh? Me siguri që po. “Pse nuk u nda?”, “Pse nuk e denoncoi?”, “Pse nuk e gjuajti mes këmbëve?”, “Pse nuk bërtiti që ta dëgjonin të tjerët?” etj. Por a e kemi menduar ndonjëherë se sa e sa gra rriten me frikën ndaj reagimit? Sepse nuk është mirë t’i kthesh fjalën burrit. Sepse burri acarohet. Sepse burri kur acarohet bëhet i dhunshëm. Sepse burri kur bëhet i dhunshëm, të vret.

Është e vërtetë që burrat janë të mrekullueshëm. Kanë qenë gjithmonë. Gjithmonë do të jetë. Ka pafund bashkëshortë dhe baballarë të përkushtuar, por ka edhe nga ata të frikshmit. Në një studim të vitit 2018 të bërë nga INSTAT, Kombet e Bashkuara, UN Women dhe UNDP rezultoi se 47,0% e grave kanë përjetuar dhunë në familje nga partneri intim. Më konkretisht, 41,2% e grave kanë përjetuar “ndonjëherë” sjellje kontrolluese shtrënguese, 31,4% kanë përjetuar dhunë psikologjike, 18,0% kanë përjetuar dhunë fizike, 8,6% kanë përjetuar dhunë seksuale dhe 7,0% kanë përjetuar dhunë ekonomike. Në fakt, 1 në 5, apo 21,0% e grave kanë përjetuar “ndonjëherë dhunë fizike dhe/ose dhunë seksuale, ose të dyja” në marrëdhëniet e tyre martesore/intime.

Midis grave që kishin qenë shtatzëna gjatë dhunës, 1,1% ishin goditur, qëlluar me shpulla, shkelmuar apo abuzuar fizikisht gjatë shtatzënisë. Midis atyre që kishin përjetuar “ndonjëherë” dhunë fizike, 2,3% ishin goditur, qëlluar me shpulla, shkelmuar, apo abuzuar fizikisht gjatë shtatzënisë. Për sa i takon grushtimit apo shkelmimit gjatë shtatzënisë, 79,1% e grave raportuan se dhunuesi kish qenë bashkëshorti/i dashuri aktual apo i dikurshëm dhe 10,4% thanë se kish qenë dikush nga familja e burrit.

Në kaq shumë raste tronditëse, cila është gjëja e parë që ju vjen ndërmend? Pse nuk e denoncoi, apo jo? Por sa herë kemi dëgjuar që gratë e tërheqin denoncimin nga frika dhe kërcenimet? Sa herë kemi dëgjuar se policia nuk ka funksionuar? Sa herë kemi dëgjuar që dhunuesit ia kanë hedhur paq me disa muaj burg? Të mos flasim për urdhërin e mbrojtjes që është thjesht një shkresë që printohet në disa kopje dhe jepet sa për sy e faqe.

Shqipëria ka sot shumë gra në poste drejtuese, gati gjysma e kabinetit qeveritës, por sa arritje mund të jetë kjo kur nuk ka një strukturë të fortë që mbron gratë nga dhuna. Sikur të mos mjaftonte kjo, fatkeqësisht ne shkojmë deri aty sa e normalizojmë dhunën nëpër televizione ose fajësojmë viktimat nëpër komente online.

Siç e thashë edhe në titull, vërtet dhuna ndodh brenda shtëpisë dhe ndonjëherë tragjedia është e pashmangshme, por e justifikon kjo të mosreaguarit, mungesën e denoncimeve, mosfunksionimin e udhërit të mbrojtjes, mungesën e strukturave dhe politikave sociale në ndihmë të rasteve të tilla? Për sa kohë këto nuk funksionojnë, viktimat do të harrohen siç janë harruar shumë e shumë të tjera. E kështu s’do të jetë e largët dita kur do të na rrënqethet sërish mishi nga piskamat e një tjetër fëmije, nëna e të cilit u vra brenda mureve të shtëpisë.