Pas pas vdekjes së Nexhmije Hoxhës, në portale është publikuar një letër e saj për njërin nga djemtë, Ilirin dhe bashkëshorten e tij. Gjatë letrës, gruaja e ish-liderit komunist tregon se në testamentin e saj nuk ka të mira materiale, prona apo para, por vetëm "bekime prej nëne". Në letër, Nexhmije Hoxha fliste me mllef dhe mëshirë për djalin tjetër, Sokolin që sipas saj "pati fatin e keq që u lidh me një grua të ligë". Hoxha i referohej nuses së saj, Liliana Hoxhës si "një grua e sëmurë nga nervat".

"Të dashurit bijtë e mi, Ilir e Teuta,
Qofshi të gëzuar e paçi bekimin tim për gjithë jetën! Bekimi duket sikur është një atribut fetar, që jepet nga zoti ose një i shenjtë. Jo! Unë nuk njoh zot. Perëndia ime është ndërgjegjja, mirësia, dashuria, ndershmëria, e vërteta, bukuria te njeriu, shoqëria e natyra. Unë s’jam e shenjtë, bekimi im është “bekimi i nënës”, bekimi më i sinqertë dhe i pastër, i dalë nga zemra me gjithë shpirt. Lum kush e fiton! Ky “bekim” nuk është një pasuri në para e flori, në prona e të mira materiale, po është një pasuri e paçmueshme shpirtërore që njeriu e fiton me respekt, dashuri, mençuri e mirësjellje ndaj asaj që e ka sjellë në jetë dhe ndaj atyre që e kanë rritur e ndihmuar të bëhet “njeri”.
Të kesh bekimin e nënës dhe respektin e gjithë atyre që ke pasur përkrah në rrugën e jetës, të bën të jetosh i qetë, në paqe me ndërgjegjen tënde, i dashur dhe i lumtur në familje, i nderuar në shoqëri.
Ishit veçanërisht ju, ti Ilir me Teutën e fëmijët tuaj, edhe Pranvera me të sajët, që ma bëtë jetën të jetueshme, me përkujdesjet e veçanta dhe dashurinë e ngrohtë që më rrethuat në vetminë e madhe që më la Enveri. Prandaj e meritoni “bekimin e nënës”.
Teksa lëvdon njërin prej djemve, Nexhmija nuk harron të krahasojë as zgjedhjet e tyre të jetës:
"Koha tregoi se ti, Ilir, kishe bërë një zgjedhje të mirë për shoqen e jetës. Se gruaja mund të bëjë të lumtur, ajo mund edhe të ta nxijë jetën. Një shembëlltyrë e tillë i ndodhi djalit tjetër tim, Sokolit, për fatkeqësinë e tij e të familjes sonë, u lidh me një grua jo vetëm të sëmurë nga nervat, por të sëmurë nga koka e të ligë nga shpirti. Siç tregoi koha, ajo kish qenë mish i huaj që kur hyri në shtëpinë tonë, po që me ndryshimin e klimës politike në vend erdhi në dekompozim e degradimin e fundit politiko-moral.
Duke qenë në burg, askush s’më ka shkruar letra aq të poshtra sa ajo. Nuk ia vlen të zgjatem me marrëzitë e saj… Të gjitha këto më shkaktuan një dhimbje të thellë, por nuk e lashë veten të më mposhtë, se kisha detyrime të tjera, politike e njerëzore, të mbroja publikisht Enverin nga fushata e ndyrë e antikomunistëve, ballistëve e gjithë skota e bashkëpunëtorëve me nazi-fashistët, që s’kanë pushuar së përbalturi emrin e figurën e Enver Hoxhës dhe nuk do të pushojnë të shtrembërojnë historinë 50 vjeçare të pushtetit popullor e të shoqërisë socialiste, nën udhëheqjen e tij.
Dhimbja e keqardhja për këtë lloj qëndrimi është e madhe, por në ndërgjegjen time kam qenë e jam e qetë, se në asnjë kohë, si në fëmini, në rini e më vonë, Sokolin e kam dashur njëlloj si Ilirin dhe Pranverën, është absurde ta mendosh e ta thuash, përse mund ta paskam dashur më pak (!!!), përse “unë s’paskam qenë kurrë nënë për të (!!!). Përkundrazi jam kujdesur e i kam qëndruar më afër, sepse më vinte keq, se kish gruan me shëndet të dobët (kështu gjykonim atëherë kur kjo “nuse” nusëronte urtë e butë, duke buzëqeshur ose kur me “dobësitë” e saj të papritura na bënte t’i venim rreth shtratit a ta dërgonim në Paris). Për lidhjet afektive, normale me Sokolin, si nënë e bir, madje dhe me të shoqen, flet dhe Ditari im shumëvjeçar si dhe korrespondenca jonë me dhjetëra e dhjetëra letra."- vazhdon ajo.
Liliana Hoxha, bashkëshortja e Sokol Hoxhës, një prej djemve të ish-diktatorit ka dalë kundër Nexhmije Hoxhës publikisht jo pak herë. Në disa nga intervistat e saj madje, ajo ka bërë hapur edhe deklarata të guximshme, duke akuzuar Nexhmijen si një nga vrasëset e vetë Enver Hoxhës.
Letër (testamentin) e plotë mund ta lexoni këtu.