Në mbledhjen e Task Forcës në Ministrinë e Shëndetësisë, u tha se në Shqipëri janë kryer 18 testime për persona të dyshuar si të prekur nga koronavirusi, duke qenë se kanë patur histori udhëtimi në zonat e prekura, por nuk janë konfirmuar të infektuar.
“Shqipëria nuk mund të jetë imune ndaj koronavirusit COVID-19 por jemi të gjithë bashkë për të bashkërenduar punën e strukturave në mënyrë që të bëhet më e mira e mundshme për të përballuar çdo situatë potenciale. Është koha të rrisim akoma më shumë vigjilencën në çdo strukturë”, tha ministrja Ogerta Manastirliu.
Ajo shtoi se që prej ditës së sotme, në të gjitha strukturat shëndetësore ka nisur shpërndarja e 1.2 milion maskave shtesë.
“Përpos stokut që strukturat shëndetësore kanë, sot ka nisur shpërndarja e 1.2 milion maskave kirurgjikale në strukturat e parësorit dhe spitalet e vendit. Ndërkohë spitalet duhet të marrin masa për të rritur akoma më shumë stokun e mjeteve të mbrojtjes personale, me fondin prej 1 milion dollarë shtesë që kemi rialokuar në buxhetet e spitaleve, për të patur stokun e domosdoshëm për çdo situatë, me fokus tek QSUT."
Artikuj të rekomanduar:
Burimi: Shëndetësia.gov.al