Sot, në çudi shqiptare dhe rrëfenja të tjera, kemi përvojat e ndjekësve tanë në Instagram që janë lindur në vit të brishtë. Disa gëzojnë, disa harrojnë, por fitimtari është babi i fundit që kur e pyesin për moshën, u përgjigjet seriozisht: 15 vjeç.
1. Mami im harron që e ka ditëlindjen një herë në katër vjet.
2. Kushëriri im gjithë jetën e tij e ka festuar ditëlindjen më 28 shkurt. Një herë në katër vjet e bën të madhe.
3. Motra ime bën 47 vjeçe. Në certifikatë e ka 27 ama. Mami thotë që qau shumë para doktoreshës me të cilën lindi, vetëm që të ndryshonte datën. Mendonte se motra do të mbetej pa martuar se ishte lindur më 29 shkurt. Një çudi shqiptare më shumë.
4. Unë e kam festuar gjithmonë më 1 mars, pasi ndihesha e përjashtuar nga ditëlindjet. Nuk i festoj përvjetorët, por e bëj të madhe sa herë muaji qëllon me 29. Shoqëria festonte 20 vjetorë e 25 vjetore, unë festoja 19 dhe 23 vjetorë.
5. Gjyshja e shoqes sime e festonte më 28. Teorikisht, tani është sa gjysma, në mos çereku i moshës që është realisht. Deri në moshën 10-vjeçare nuk i pëlqente ta festonte se thoshte e kam nesër, po kalendari kalonte direkt më 1 mars.
6. Mami im është lindur më 29 dhe mezi e pret, por e keqja është se nesër s’e feston dot se mbush dyzetë dhe s’duhet.
7. Mezi po pres të mbush 5 vjeç.
8. Unë jam lindur më 29 shkurt të vitit 2000 dhe këtë vit mbush 20 vjeç. Të lindësh më 29 shkurt për mua ka qenë hall sepse shumica e harrojnë dhe gjithmonë më bëjnë pyetjen, "5 vjeç bën këtë vit?” sepse këto njëzetë vjet kemi pasur vetëm pesë muaj me 29 ditë.
9. Babi im kur i bie data 28 u thotë shokëve që e ka më 29 dhe s’i qeras. Kur i bie me 29, u thotë e kam me 28. Kur e pyesin për moshën, "jam 15 vjeç" thotë.