Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) Tedros Adhanom Ghebreyesus është shprehur gjatë deklaratës së fundit, se ekspertët dhe mjekët po përmirësohen ndjeshëm në lidhje me trajtimin dhe mënyrën se si koronavirusi funksionon, por stresi i kësaj sfide është ende i madh derisa të arrihet në parandalimin e përhapjes.
"E kuptojmë që njerëzit kanë frikë dhe janë ende të paqartë. Frika është përgjigje natyrale që qëniet humane kanë ndaj një kërcënimi që ne s'e kuptojmë plotësisht. Sa më shumë të dhëna kemi, aq më shumë kuptojmë ç'është koronavirusi dhe si janë simptomat e tij. Ky është një virus unik me karakteristika unike."- u shpreh ai.
Përsa i përket masave mbrojtëse për të ndihmuar parandalimin e përhapjes, ai shtoi se mjekët po përballen me një tjetër sfidë globale.
"Jemi të shqetësuar se aftësitë e vendeve të ndryshme për t’u përgjigjur po dëmtohen nga ç'rregullimet e mëdha dhe në rritje në furnizimin global me pajisje mbrojtëse personale të shkaktuara nga rritja e kërkesës, grumbullimi dhe keqpërdorimi."
Mungesat në mjete të tilla po i bëjnë mjekët, infermierët dhe punonjësit e tjetër të mos kujdesen dot siç duhet për pacientët e prekur nga virusi.
"Ky problem nuk zgjidhet vetëm nga OBSH-ja apo një industri e vetme.Kjo kërkon punën e të gjithëve ne, për t'u siguruar që të gjithë vendet po mbrojnë njerëzit që do të na mbrojnë të gjithëve ne!"
Ai raportoi se deri më tani ka rreth 91.000 raste me njerëz të prekur nga COVID-19 në të gjithë botën dhe 3110 vdekje.
Kreu i OBSH shtoi gjithashtu se vihet re një rënie e të infektuarëve në Kinë, vetëm 129 raste të reja (numri më i ulët që nga 20 janari), por një rritje në Europë dhe SHBA.