Raul Gonzalez, drejtori i zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Tiranë, u shpreh se duhet të shmangen lajmet e rreme për koronavirusin pasi të gjithë janë të angazhuar. Në një takim të Task-Forcës së bashku me ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, Gonzalez u shpreh:
“Ajo që po ju kërkoj të bëni është të besoni në ekspertizën e ekspertëve pasi një pjesë e madhe e tyre janë të certifikuar ndërkombëtarisht. Sapo u ktheva nga vendi im në Spanjë dhe dua t'ju them se dy javë më parë takuam njerëz me koronavirus. Por pse nuk ka asnjë rast në Shqipëri? Akoma po studiojmë situatën, kjo është diçka e re për ne.”
Ai tha se në Spanjë, “u gjetën njerëz pozitivë që nuk kishin udhëtuar në Itali dhe as kishin pasur kontakte me shtete ku ka të prekur nga koronavirusi.”
“Ditën e djeshme u testuan edhe 6 raste të dyshuara që kanë rezultuar negative për COVID-19. Deri tani janë testuar 42 raste në laboratorin e ISHP dhe Shqipëria nuk ka asnjë rast të konfirmuar me koronavirusin e ri,” tha ministrja Manastirliu.
Burimi: Ministria e Shëndetësisë dhe Independent Balkan News Agency