Gjatë mesnatës, Ministria e Shëndetësisë ka konfirmuar zyrtarisht dy rastet e para të prekura nga koronavirusi në vendin tonë. Babë e bir, 54 dhe 28 vjeç kanë rezultuar pozitivë ndaj COVID-19 pas analizave të kryera.
Nga të dhënat e para thuhet se ata kanë qëndruar për ditë në Firence dhe kanë udhëtuar më pas në rrugë tokësore, nga Firence drejt Tiranës përmes pikës së Hanit të Hotit, me makinën e tyre personale.
Ministria e Shëndetësisë, njoftoi gjithashtu se aktualisht gjendja shëndetësore e të dyve është e stabilizuar dhe asnjëri nuk paraqet komplikacione. Ndërkhë që të prekurit e parë në vendin tonë po kurohen në spitalin infektiv, strukturat e shëndetit publik po merren me hetimin epidemiologjik dhe marrjen e mostrave për të gjithë njerëzit me të cilët kanë patur kontakt.
Nga ana tjetër, sot pritet të mbahet mbledhja e parë e qeverisë shqiptare, për të diskutuar në lidhje me koronavirusit, tani që vendi ynë iu shtua listës së vendeve të prekura. Në mbledhjen e sotme pritet të merren masa të reja sipas rekomandimeve të OBSH-së, por paraprakisht ministria rekomandon të gjithë personat që kanë ardhur nga vendet e prekura me koronavirus, të vetë-izolohen.
Gjithashtu, qytetarët që kanë udhëtuar nga vendet e prekura, apo kanë patur kontakte me njerëz të tjerë nga këto vende dhe shfaqin simptoma të ngjashme me gripin, të telefonojnë në numrin 127.
Burimi: Balkan Web