Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale bën me dije se numri i të prekurve nga koronavirusi ka shkuar në 6. Tre prej të prekurve i përkasin të njëjtës familje, asaj që për momentin po konsiderohet si rasti i parë i Covid-19.
“Aktualisht të gjithë personat e tyre të kontaktit po mbahen në vetëkarantinim të detyruar dhe po ndiqen nga ekipet e epidemiologëve për gjendjen e tyre shëndetësore,” shkruhet në njoftimin zyrtar.
Deri tani janë testuar 77 raste dhe numri i atyre që kanë rezultuar pozitiv për COVID-19 është 6.
Deklarata e plotë:
Sot 4 raste të reja me COVID-19; 3 prej tyre në familjen e 2 rasteve të djeshme
Gjatë ditës së sotme janë testuar edhe 14 raste të dyshuara për COVID-19, tetë prej të cilëve persona të kontaktit të ngushtë me dy rastet e konfirmuara me koronavirusin e ri në vendin tonë.
Nga rezultatet e 14 testimeve të kryera në laboratorin e virologjisë në Institutin e Shëndetit Publik, rezulton se 4 persona kanë rezultuar pozitiv për COVID-19, 3 prej të cilëve persona të familjes me 2 rastet e para që u konfirman mbrëmjen e djeshme. Aktualisht të gjithë personat e tyre të kontaktit po mbahen në vetëkarantinim të detyruar dhe po ndiqen nga ekipet e epidemiologëve për gjendjen e tyre shëndetësore.
Aktualisht gjendja e tyre rezulton pa probleme të veçanta.
Rasti tjetër i konfirmuar gjatë ditës së sotme, është një 31-vjeçar me banim në Tiranë, që ka patur histori udhëtimi me Milanon 6 ditë më parë dhe është kthyer pas një qëndrimi të shkurtër 1 ditor në vendin fqinj. Ai po trajtohet bashkë me 2 rastet e mbrëmshme, në spitalin infektiv dhe gjendja e tij paraqitet pa probleme të veçanta.
Deri tani janë testuar 77 raste dhe numri i atyre që kanë rezultuar pozitiv për COVID-19 është 6.
Duke vlerësuar punën e stafeve mjekësore në këto momente të vështira dhe garantuar gatishmërinë e shërbimit tonë shëndetësor sipas planit të hartuar mbi protokollin e OBSH-së, Ministria e Shëndetësisë fton qytetarët të ndjekin me kujdes rekomandimet zyrtare dhe të kujdesen posaçërisht për masat e higjienës personale. Për çdo rast të shfaqjes së shenjave të infeksionit respirator, si temperaturë, kollë, vështirësi në frymëmarrje, sidomos për personat që kanë histori udhëtimi me vendet e prekura apo kanë pasur kontakt me ta, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Social u lutet qytetarëve të lidhen me Urgjencën Kombëtare në nr. 127!
- Luftojnë koronavirusin, nga rakia, te hudhra dhe akullorja: Artikujt që duhet të injoroni!
- Spitali Infektiv kthehet në karantinë të mirëfilltë
- Sot, a janë të rrezikshëm thonjtë e gjatë?
- Pse gratë dhe fëmijët janë më pak të rrezikuar nga koronavirusi
- Çfarë duhet të ndodhë në vendin tuaj të punës për të parandaluar përhapjen e koronavirusit