Duhen mesatararisht rreth pesë ditë që të shfaqen simptomat e Covid-19, thotë një studim i ri i botuar në Annals of Internal Medicine, një revistë mjekësore akademike e botuar nga Kolegji Amerikan i Mjekëve.
Shën.red. Annals of Internal Medicine është një nga revistat mjekësore më të specializuara dhe më me ndikim në botë.
Kolegji Amerikan i Mjekëve tha se 97.5% e të infektuarve shfaqin simptoma brenda 12 ditëve nga infektimi me virus. Koha e inkubacionit është pesë ditë.
Shën.red Inkubacion - Koha që kur mikrobet, bakteret, viruset hyjnë në një organizëm deri kur shfaqen shenjat e para të sëmundjes; periudha gjatë së cilës sëmundja zhvillohet pa u vënë re.
Në studim u morën 50 provinca, rajone dhe vende në Wuhan, Kinë, epiqendra e koronavirusit. “Bazuar në të dhënat e disponueshme, studiuesit vlerësuan se mesatararisht periudha e inkubacionit është 5.1 ditë. 97.5% e njerëzve shfaqin simptoma brenda 11.5 ditëve,” shkruajnë studiuesit.
Shtojcë:
Çfarë masash duhet të merren për të parandaluar koronavirusin?
– Lani shpesh duart me ujë dhe sapun ose pastrojini ato duke i fërkuar me pastrues me bazë alkooli.
– Kur kolliteni apo teshtini, mbuloni gojën dhe hundën me gropëzën e bërrylit ose shami letre. Hidheni menjëherë shaminë e letrës në koshin e plehrave dhe pastaj lani duart.
– Mënjanoni kontaktet e ngushta me këdo që ka temperaturë dhe kollë.
– Paraqituni tek mjeku nëse keni kollë, temperaturë apo vështirësi në frymëmarrje dhe raportoni historinë e udhëtimeve nëse keni udhëtuar kohët e fundit.
– Mënjanoni kontaktet me tregjet e kafshëve të gjalla në zonat që kanë koronavirus dhe parandaloni kontaktet e pambrojtura me kafshë të gjalla apo sipërfaqe që kanë qenë në kontakt me kafshët.
– Mënjanoni konsumin e produkteve të mishit të pagatuara apo gatuara jo shumë. Mishi, qumështi i papërpunuar apo organet e kafshëve duhet të trajtohen me kujdes, duke përdorur mjete mbrojtëse në mënyrë që të mënjanohet kontaminimi.
– Udhëtarët që kanë patur kontakte me raste të konfirmuara apo ekspozim direkt ndaj një burimi të mundshëm të infeksionit duhet të vendosen në mbikëqyrje mjekësore.