Shqipëria

Ministria e Infrastrukturës sqaron ç’do të ndodhë me udhëtimet drejt Italisë dhe anasjelltas

Shkruar nga Anabel

10 Mars 2020

Ministria e Infrastrukturës sqaron ç’do të ndodhë me

Në një konferencë për shtyp, ministria e Infrastrukturës dhe Energjinë, Belinda Balluku, u shpreh se në ditët e sotme janë udhëtimet e fundit drejt Italisë, masë që vjen pas vendimit të kryeministrit italian për ta shpallur Italinë zonë të kuqe.

“Në kuadër të masave të përgjithshme të marra nga qeveria shqiptare për të përballuar situatën e krijuar nga shfaqja e rasteve me Covid-19, vazhdojmë t’ju mbajmë të informuar përsa i përket transportit ajror dhe detar. Pas vendimit të marrë nga shteti italian për ta shpallur Italinë si zonë të kuqe totalisht, jemi të detyruar edhe ne të marrim masa për ndërprerjen e fluturimeve që nisen nga Italia drejt Rinasit, apo nga Rinasi drejt Italisë. Kështu që tashmë të gjitha aeroportet italiane që kishin mbetur të hapura, si ai i Romës apo Barit, nuk do të jenë më të aksesueshme. Avioni i fundit u ul më 10.30 dhe pasagjerët u kontrolluan dhe iu kërkua autoizolimi. Avioni i fundit i AlItalia-s u nis drejt Romës dhe këtu ndërpriten të gjitha fluturimet.”

Më tej, ministrja shtoi:

“Është një problem që na është shfaqur edhe nga Ambasada edhe nga autoritetet italiane, se në rastet kur autoritetet italiane do të vendosin për të tërhequr shtetasit e tyre nga Republika e Shqipërisë apo pasagjerë të tjerë që kërkojnë të shkojnë drejt Italisë, do të jetë e mundur vetëm nëse avionë të kompanive italiane do të vijnë bosh nga Italia për të marrë pasagjerë nga Shqipëria.”

Përsa i përket transportit detar:

“Sonte do të nisen tragetet e fundit nga Vlora dhe Durrësi. Pra, tragetët e fundit Vlorë-Brindisi dhe Durrës-Bari me të gjithë pasagjerët që kanë blerë biletat dhe udhëtojnë sot. Pas këtij itinerari nuk do të ketë udhëtime drejt Barit dhe Brindisi. Edhe në këtë rast, [pra, për transportin e atyre që duan të ikin drejt Italisë] do të veprohet si me rastin e transportit ajror. Vetëm me tragetë bosh që vijnë nga Italia.”

Anijet tregtare nuk kanë asnjë bllokimi, do të nisen dhe do të vinë. E njëjta gjë edhe për transportin ajror të mallrave, që është më i kufizuar. “Personelet e anijeve do të kontrollohen nga stafi mjekësor.”