Për shkak të situatës së krijuar nga koronavirusi, ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini, deklaroi se mësimi do të zhvillohet në shtëpi në klasa virtuale. Në udhëzuesin e publikuar së fundmi, thuhet se qëllimi i mësimit në kushtet e shtëpisë “është që t’i mbajë nxënësit të angazhuar me përmbajtjen lëndore dhe përforcimin e njohurive të fituara deri tani për të mos u shkëputur nga procesi i të nxënit, deri në rifillimin e procesit mësimor të rregullt.”
Detyrat e mësuesit:
- komunikon rregullisht me nxënësit dhe prindërit e tyre dhe me drejtuesit e institucionit arsimor që nxënësit duhet të jenë të angazhuar për mësimet edhe në kushtet e shtëpisë;
- zbaton planin e punës (kalendarin) të hartuar nga drejtoria e shkollës; formën dhe mënyrën e komunikimit në grup me nxënësit dhe prindërit e tyre (ËhatsApp, e-mail, platforma online, facebook, skype, video etj.) për komunikimin e përmbajtjeve/temave mësimore;
- përcakton përmbajtje mësimore (video-selfie) që do t’u rekomandojnë nxënësve duke respektuar planin mësimor të lëndës së tyre për klasën përkatëse;
- jep udhëzime në grupin e krijuar në lidhje me përvetësimin e përmbajtjes mësimore nëpërmjet mesazheve dhe videove të përgatitura prej tij;
- u përgjigjet pyetjeve që i adresojnë nxënësit në lidhje me përmbajtjen/temat mësimore;
- jep detyra, ushtrime, lexime plotësuese, kuizze etj. për përmbajtjen/temën mësimore përkatëse në varësi të specifikave të secilës lëndë;
- bën kujdes të mos mbingarkojë nxënësit me përmbajtjen mësimore duke u fokusuar në njohuritë kryesore dhe përforcimin e njohurive të fituara deri tani;
- informon drejtorinë e shkollës lidhur me ecurinë e zhvillimit të mësimit në kushtet e shtëpisë.
Detyrat e nxënësit:
- angazhohen për kryerjen e detyrave të dhëna nga mësuesit e tyre;
- u adresojnë pyetje mësuesve të tyre për vështirësitë dhe paqartësitë që mund të kenë në lidhje me përmbajtjet/temat mësimore të rekomanduara;
- ndjekin videot dhe mësime online të sugjeruara nga mësuesit e tyre;
- mund të dërgojnë detyra/ushtrime/punime të ndryshme të kryera prej tyre gjatë periudhës së qëndrimit në shtëpi për të marrë komente nga mësuesi dhe nxënësit e tjerë.
Detyrat e prindërve:
- të jenë pjesë e grupeve të komunikimit me mësuesit sipas planit të përcaktuar nga drejtoria e shkollës;
- të marrin çdo informacion që vjen nga drejtoria e shkollës dhe mësuesit përkatës;
- të mbështesin fëmijën në mësimin në kushtet e shtëpisë duke lehtësuar marrjen e informacionit nga mësuesit.