Shqipëria

Shpjegimi i detajuar për mësimin e maturantëve në shtëpi

Shkruar nga Anabel

10 Mars 2020

Shpjegimi i detajuar për mësimin e maturantëve në

Për shkak të situatës së krijuar nga koronavirusi, ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini, deklaroi se mësimi do të zhvillohet në shtëpi në klasa virtuale, duke përfshirë këtu edhe maturantët. Në udhëzuesin e publikuar së fundmi, thuhet se qëllimi i mësimit në kushtet e shtëpisë “është që t’i mbajë nxënësit të angazhuar me përmbajtjen lëndore dhe përforcimin e njohurive të fituara deri tani për të mos u shkëputur nga procesi i të nxënit, deri në rifillimin e procesit mësimor të rregullt.”

Qendra e Shërbimeve Arsimore ka publikuar në faqen e saj të internetit dy botime, të cilat i gjeni në linkun përkatës:

1. Matura Shtetërore Gjuha Shqipe dhe Letërsia.

2. Matura Shtetërore 2019, teste dhe skema vlerësimi, gjuhët e huaja, matematika dhe lëndë me zgjedhje (për gjimnazin).

Libri “Matura Shtetërore Gjuha Shqipe dhe Letërsia” është një përmbledhje e testeve të Maturës Shtetërore për Gjuhën Shqipe dhe Letërsinë për vitet 2011-2019. Libri “Matura Shtetërore 2019, teste dhe skema vlerësimi, gjuhët e huaja, matematika dhe lëndë me zgjedhje (për gjimnazin)” përmban testet e provimeve të Maturës Shtetërore 2019, për gjuhën e huaj, matematikën, dhe lëndët me zgjedhje, të shoqëruara bashkë me skemat e vlerësimit. Në material do të paraqiten edhe disa orientime mbi natyrën e testeve.

Gjatë periudhës së ndërprerjes së procesit mësimor, është e nevojshme që maturantët:

- të rifreskojnë njohuritë që lidhen me tekstet joletrare, duke u fokusuar më shumë në ato përshkruese dhe argumentuese, për shkak të peshës që zënë në Programin Orientues të Maturës Shtetërore 2020. Gjatë përsëritjes, ata duhet të përforcojnë njohuritë që lidhen me analizat e tekstit joletrar nga pikëpamja e: përmbajtjes ideore, strukturës dhe teknikave të shkrimit dhe  aspektit gjuhësor;
- të përpiqen të shkruajnë në mënyrë të pavarur 4 ese në javë, me tema esesh që paraqiten në rubrikat: të shkruajmë, në tekstet me të cilat punojnë maturantët në shkollat e tyre;
- të rifreskojnë njohuritë që lidhen me tekstin letrar sipas planifikimit të mëposhtëm:
> për autorët si: Homeri, Eskili, Aligeri, Shekspir, Gëte, Hygo, De Rada, Balzak (të cilët janë studiuar gjatë viteve të shkollimit), mund të realizohet përsëritja e plotë e tyre;
> për autorët si: Kamy, Migjeni, Poradeci, Agolli, Kadare, Shkreli. Maturantët është mirë të përsëritin njohuritë që lidhen me autorët që kanë studiuar deri tani në shkollë;
- të ushtrohen me modele testesh dhe esesh të viteve të kaluara.

Disa këshilla në ndihmë të maturantëve, mbi provimin e MSh-së 2020, lënda “Matematikë”:

- numri
- matja
- gjeometria;
- algjebra dhe funksioni
- probabiliteti dhe statistika.

Është e nevojshme që maturantët të ushtrohen në zgjidhje ushtrimesh sipas tipeve të mëposhtme:

- ushtrime që vlerësojnë vlefshmërinë e një argumenti matematikor në një situatë problemore kryesisht nga tematika e algjebrës dhe funksionit;
- ushtrime ku kërkohet paraqitja e informacionit matematikor;
- ushtrime me alternativa (përzgjedhje e alternativës së saktë nga 4 alternativat e dhëna);  
- ushtrime për zbatimin e koncepteve dhe proceseve në një situatë të dhënë nga jeta reale, (kjo vlen për të gjitha tematikat sipas programit orientues);  
- ushtrime ku maturanti ndërton zinxhirin e arsyetimeve dhe interpretimin e hapave të ndjekura për zgjidhjen e një situate problemore.