Në një intervistë për “Real Story”, përfaqësuesi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Raul Gonzales-Montero, foli mbi situatën e koronavirusit në vend. Ai theksoi se përpos masave të marra nga qeveria dhe OBSH-ja, është me shumë rëndësi mënyra si do të ndërveprojnë njerëzit, pasi parandalimi i koronavirusit kërkon bashkëpunimin me qytetarët.
“Gjërat duhet të analizohen pas disa kohësh, pasi gjërat të kenë evoluar edhe pak. Ndodh transmetimi për shkak se njerëzit ndërveprojnë. Duhet që të presim edhe njëfarë kohe që të shohim si ecin gjërat. OBSH ka kapacitetet për të ndërhyrë në këtë fazë të sëmundjes. Qeveria dhe OBSH janë këtu për të ndërprerë përhapjen e virusit. Ka shumë rëndësi edhe sesi njerëzit të veprojnë, njerëzit duhet të bëjnë siç iu këshillohet nga qeveria. Njerëzit duhet të mos takohen me dorë, as përqafohen, të mos rrinë shumë veta në një ambient të mbyllur.[...] Jemi të gjithë të shqetësuar për atë që po ndodh në Itali. Në Itali sistemi është i përmbytur, edhe në disa vende të Spanjës sistemi është i përmbytur gjithashtu. Mbyllja e shkollave mund të ketë qenë një masë e mirë. Janë disa masa thelbësore që duhen marrë, duhen larë duart. Të shmangin vajtjen në objekte kulti etj.”
Shmangia e ambienteve të popullurara, si kafenetë, është e rëndësishme, pasi siç theksoi Gonzales-Montero, asnjë vend nuk është përgatitur për skenarin më të keq.
“Asnjë vend i botës nuk është i përgatitur të përballet me skenarin më të keq. As Kina as SHBA e as Kanadaja. Kapaciteti i vendeve po sfidohet prej numri të rasteve. Sistemi italian a është i fortë sa duhet? Mund të themi se po. A është i fortë sistemi spanjoll? Po. Asnjë vend nuk është i përgatitur për skenarin më të keq. Vendet duhet të marrin masa të hershme për të shmangur skenaret më të këqija. Nuk ka vend në botë që mund të përballet me një infeksion në masë, as Kina.”
Në vijim të intervistës, përfaqësuesi i OBSH-së u ndal edhe te krahasimi mes Koresë së Jugut dhe Italisë, dy vende ku numri i të infektuarve qe fillimisht i njëjtë, ndërsa më pas Koreja e Jugut ia doli të menaxhonte në kohë situatën, ndryshe nga Italia ku numri i të prekurve u rrit ndjeshëm.
“Ende nuk e dimë. Kemi një mision të rëndësishëm në Itali që po nxjerr një raport që do jetë i disponueshëm në ditët në vijim, siç kemi me Kinën. Duhet kuptuar se edhe në vendet e zhvilluara dinamika e infeksionit mund të jetë e ndryshme. Mund të prekë grupmosha të ndryshme, zona ku kapacitetet shëndetësore janë të ndryshme. Në Korenë e Jugut dhe në Itali kemi një shifër të ngjashme të personave të prekur. Nuk e dimë ende pse numri i personave të vdekur është më i lartë.”
Përsa i përket vaksinës, ai u shpreh:
“Nuk duhet të kemi panik. Kjo sepse paniku është gjëja më e keqe. Na duhet kohë që të nxjerrim vaksinë. Kemi nevojë për kohë, sepse vaksina nuk do jetë e disponueshme menjëherë. Do të duhet rreth një vit që të jetë e disponueshme. Do të duhet kohë dhe kohën e fitojmë duke zbatuar masat e distancave. Për viruse të caktuara mund të duhen 10 vjet, por për këtë virus do na duhet një vit. Prandaj duhen marrë masa për të ndërprerë transmetimin. Nuk mund ta zhdukim, dot, ajo që na duhet është të ndërpresim transmetimin. Do krijojmë edhe antiviralë.”