Si masë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, fillimisht u tha se do të mbyllen disa ambiente të cilat grumbullojnë një numër të caktuar njerëzish. Nisur nga gjendja aktuale dhe ndërgjegjësimi i pakët i njerëzve, qeveria është detyruar të marrë masa ekstreme në lidhje me baret, restorantet apo klubet në Tiranë dhe Durrës.
Përmes një statusi në Facebook, kryeministri Rama tha se do të mbyllen të gjitha lokalet apo restorantet pa asnjë përjashtim.
"Ndjesë, por duke parë shkallën e ulët të vetëdijes së shumë qytetarëve, kryesisht të rinj, që e kanë edhe më të vështirë të rrinë në një vend, DO TË DETYROHEMI TË MBYLLIM TË GJITHA RESTORANTET, BARET, KLUBET, në TIRANË dhe DURRËS fillimisht! KJO NUK ËSHTË KOHË PUSHIMESH dhe ARGËTIMESH JASHTË SHTËPISË, po KOHË LUFTE Dhe KJO LUFTË FITOHET VETËM DUKE KUFIZUAR LIRINË TËNDE, DUKE NDRYSHUAR RRËNJËSISHT MËNYRËN E JETESËS dhe DUKE RUAJTUR FAMILJEN TËNDE nga kontaktet e tua me jashtë!"- shkruan ai.
Përveç masave më lart ambientet që do të mbyllen/janë mbyllur janë këto më poshtë:
1.Nuk do të lejohet organizimi i aktiviteteve sportive, kulturore, konferenca/seminare, teatro, kinema etj.
2. Nuk do të lejohet grumbullimi dhe frekuentimi/shikimi i ndeshjeve të futbollit nëpër stadiume, sipas vendimit të FSHF-së.
3. Do të ndalohen grumbullime të tilla si tubime/manifestime, parakalime, koncerte, dëgjesa publike.