Italia është në kaos për shkak të numrit të lartë të të prekurve nga koronavirusi, ndaj edhe u mor masa “qëndo në shtëpi”, si një nga format kyçe për të parandaluar infektimin e qytetarëve të tjerë. Rrugët e qyteteve italiane – të cila më parë zhurmonin nga lëvizja e banorëve dhe turistëve – janë bosh. Në vazhdën e kontrolleve të rrepta, qytetarët italianë duhet të jenë të pajisur me një dokument ku të justifikojnë arsyen e lëvizjes dhe ata që nuk respektojnë dispozitat, do të përballen me ligjin.
Dokumenti është në formën e një vërtetimi, por plotësohet vetë. Ai duhet të plotësohet edhe për të ecur. Nëse bëhet fjalë për udhëtime fikse (për shembull për në punë, për të ndihmuar një familjar të sëmurë etj) mund të përdoret i njëjti vërtetim. Në të kundërt, duhet të plotësohet sa herë lëviz.
Përsa i përket lëvizjeve të italianëve:
- Mund të shkojnë në supermarket, por duhet të ruajnë distancë prej së paku një metër nga njëri-tjetri. Tregjet janë mbyllura.
- Mund të shkojnë në farmaci ose spital. Nuk mund të hyjnë në dhomat e pritjes së urgjencës apo te dhomat e të moshuarve, me përjashtim të arsyeve serioze.
- Mund të dalin për të ndihmuar një anëtar të familjes që mund të jetë i/e sëmurë. Në rast se prindërit janë ndarë, fëmijët mund të lëvizin nga njëri prind te tjetri, gjithmonë duke justifikuar lëvizjen.
- Nuk mund të bëjnë blerje në dyqanet me pakicë, me përjashtim të atyre që janë hapur. Qendrat tregtare janë mbyllur, por janë të aksesueshme për supermarketet brenda.
- Mund të shkojnë te mekaniku për të rregulluar makinën, por vetëm nëse problemi është urgjent.
- Baret dhe restorantet janë të mbyllura. Baret e spitaleve janë të hapura, por me kusht që të garantohet distanca dhe siguria.
- Mund të porosisin ushqim në shtëpi, por kushdo që bën dorëzimin e porosisë duhet të mbajë një distancë prej së paku një metër dhe të garantojë rregullat higjieno-sanitare për paketim dhe transport.
- Mund të shëtisin qenin, por me kusht që të qëndrojnë afër shtëpisë dhe gjithmonë për një kohë të kufizuar.
- Mund të shkojnë në punë, gjithmonë nëse puna nuk mund të bëhet nga shtëpia.
- Gazetat dhe revistat mund të blihen. Kioskat do të qëndrojnë të hapura për të garantuar të drejtën e informimit.
- Bankat dhe zyrat publike janë të hapura, por duhet mbajtur distancë nga punonjësit.
- Mbledhjet, konferencat dhe grumbullimet publike janë të ndaluara.
- E kanë të ndaluar të vizitojnë miqtë dhe familjarët për dreka e festime të tjera, me përjashtim të rasteve kur arsyet janë serioze.
- Qendrat estetike janë të mbyllura.
- Teatrot, kinematë, muzetë, shkollat dhe universitetet janë të mbyllura.
- Kishat dhe vendet e kultit janë të hapura, por ndalohen dasmat dhe funeralet.
- Ndalohet udhëtimi për turizëm.
Burimi: Corriere della Sera