Tirana sot (13 mars) është zgjuar e gjitha bosh. Pas masave të përforcuara, transporti publik lejohet vetëm për stafin mjekësor, lokalet, e baret janë mbyllur ashtu si shumë kompani të tjera biznesi. Pas vendimit të qeverisë, vendi do të jetë gati gati në izolim total të paktën deri të dielën, ku nuk do të lejohet as qarkullimi i automjeteve private, përveç atyre të mallrave. Por ç'do të ndodhë pas të ditës së dielë?
Kryeministri i vendit, u shpreh se ndryshe nga disa vende të tjera të botës, Shqipëria do të ecë me përshkallzim masash, në mënyrë që virusi të mos përhapet në nivele të papërballueshme për mjekësinë.
“Po dëgjoja kryeministrin britanik , i cili sot shpjegoi pse në Britaninë e Madhe nuk do i mbyllin shkollat e universitet dhe pse masat do t’i përshkallëzojë më ngadalë, është një qasje. Ne do të ndjekim qasjen e përshkallëzimit strikt, për të ngadalësuar maksimalisht shpërndarjen e virusit.
E përsëris, nuk është ideja të bëjmë sa më shumë teste, të kapim me teste të gjithë ata që kanë korona, koronën do ta marrin masivisht si një virus gripi, por njësoj si me virusin e gripit, siç tregon eksperienca e Kinës, 80% e jona nuk do ta marrin vesh kurën e patën apo nuk e patën.
Ju e dëgjuat kancelaren gjermane që tha 70% e gjermanëve do të preken nga koronavirusi. 20% e atyre që do ndjejnë shqetësime dhe do ndjehen jo mirë, është 20% me të cilin duhet të kemi fokusin e vëmendjes. Nga këta, disa e kalojnë me rrufë, pak temperaturë, por nuk shkon në një gradë më të rëndë dhe janë 80% e 20% që e kalojën në shtëpi. Pjesa tjetër ka nevojë për hospitalizim."- u shpreh ai.
Ndonëse thuajse gjithë aktivitetet normale të vendit janë pezulluar, Rama u shpreh se marketet apo furrat e bukës do të vijojnë të jenë të hapura.