Një nga problemet e tjera, që erdhi si pasojë e përhapjes së koronavirusit janë çmimet e rritura. që nga dita kur virusi nisi të përhapej në Itali, shqiptarë nxituan t'i drejtoheshin farmacive për t'u pajisur me maska mbrojtëse apo antibakterial. Çmimet u rritën si me magji dhe njerëzit nuk ngurruan ta shprehin mllefin ndaj farmacive, a farmacistëve, duke harruar se ky është një vendim që nuk merret prej tyre.
Anabel.al kontaktoi me disa farmaci në vend dhe thuajse mori të njëjtin shpjegim prej tyre si përgjigje për rritjen e çmimeve.
"Maskat, dorezat, alkoolet dhe higjenizuesit e duarve më parë nuk kanë qënë produkte që kanë patur shumë ecuri në farmaci, pra ishin gjëra që shiteshin rrallë. Si rrjedhojë, farmacitë mbanin pak gjendje nga këto mallra. Ajo gjendje fillestare ka qenë me çmime normale, por janë shitur shpejt që nga koha kur filluan t'i kërkonin nga frika e koronavirusit. Atëherë, farmacitë nga kërkesat e njerëzve filluan të kërkonin gjithnjë e më tepër nëse depo ose furnitorë të ndryshëm.
Këta të fundit, duke qenë se kërkesa është rritur në masë, kanë rritur çmimet me të cilat ja shisnin farmacive, gjithnjë e më shumë. Nga ana tjetër, sasia gjithashtu ka qenë e limituar sepse pjesa më e madhe e këtyre produkteve importohen nga Kina, por prej muajsh Kina e ka patur shumë të vështirë të furnizojë, duke patur parasysh nevojën që kishin ata vetë. Si rezultat i kësaj, farmacitë duke parë kërkesën e njerëzve, janë detyruar t'i blejnë me çmimin e shtuar dhe sigurisht i kanë shitur diçka më shtrenjtë."- tregon për Anabel.al një farmaciste.
Pra, ndryshe nga ç'është krijuar ideja në opinionin publik nuk është "faji" i farmacive tona dhe as abuzim i tyre apo diçka që ndodh vetëm tek ne. Si pasojë e kërkesë-ofertës, ata janë detyruar të rrisin çmimet.
"Ministria e Financave në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë,vendosin një çmim CIF (Cost, Insurance dhe Freight)- *shpenzime të transportit, doganimit, zhdoganimit për depon farmaceutike. Depo, ble produktin me këtë çmim dhe e sjell tek ne (farmacitë), shumëzuar me 1.20% (TVSH e tij), pra çmimi ndryshon tek ne bazuar mbi çmimin CIF. Më tej, farmacia nëse përshembull një antibalkterial vjen me çmim 130 lek, unë si farmaciste, me të drejtën që më ka dhënë Ministria e Financave duhet patjetër këtij produkti t'i shtoj TVSH e biznesit dhe të Transportit dhe ta shumëzoj me marzhin e fitimit (koefiçent i njëjtë në çdo farmaci në rang vendi)."- shprehet një tjetër farmaciste për redaksinë tonë.
Përveç "inatit" të pakuptimtë që qytetarët shprehin ndaj farmacistëve, këta të fundit tregojnë se gjatë kësaj situate ata e ndjejnë rrezikun ndoshta edhe më shumë se të tjerët. Vajzat tregojnë për Anabel.al se ato vetë punojnë "me frikë" dhe hera herës ndihen të pambrojtura për shkak se jo të gjithë qytetarët janë mjaftueshëm të ndërgjegjshëm sa për të zbatuar masat e vendosura.